Zgjedhja e presidentit në Kosovë/ Çfarë ndodhi gjatë seancës së jashtëzakonshme?
Pasditen e së hënës, në sallën plenare ishin të pranishëm vetëm deputetët e shumicës parlamentare, të cilët në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga ta diskutuan për çështjen e presidentit.
Partitë opozitare: Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si dhe Lista Serbe bojkotuan këtë seancë. Në seancë, dy kandidatët e LVV-së për president, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha Kollçaku tërhoqën zyrtarisht kandidaturat e tyre.
Kreu i LVV-së, njëherësh kryeministri Albin Kurti, tha se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit është e të gjithëve, e jo vetëm e partisë së tij. Ai tha se LDK-ja përbuzi ofertat që ai bëri. Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu fajësoi opozitën se me mungesën e pjesëmarrjes në seancë për president, ato po e çojnë vendin në krizë “të panevojshme”.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri i parë, Glauk Konjufca, tha se opozita po synon që përmes pamundësimit të kuorumit për president, ta rrëzojë Qeverinë. Më 25 prill, LVV kërkoi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që të propozojnë tre emra për president. Ata u tha se duhet të jenë figura unifikuese dhe jopartiake.
PDK e ka refuzuar ofertën, ndërkaq LDK ka thënë se mund ta kandidojë ish-presidenten Vjosa Osmani, me kushtin që LVV të sigurojë 66 vota për të. Para seancës, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, përsëriti qëndrimin se për partinë e tij është “përmbyllur” kontributi për çështjen e presidentit.
Udhëheqësi i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e cilësoi thirrjen e seancës si “show propagandues i Vetëvendosjes”.
AAK-ja tha se nuk merr pjesë në seancë, duke theksuar se bisedime serioze për presidentin është dashur të mbahen tash e tre muaj. LVV-ja tha se do të angazhohet deri në fund të afatit që vendi të ketë një president të ri dhe të shmangen zgjedhjet.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, deputetët kanë afat deri më 28 prill të zgjedhin presidentin, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje. Votimet do të duhej të mbaheshin brenda 45 ditësh./REL