Puç politik, apo lojë strategjike? Melazim Koçi zbulon prapaskenat e krizës presidenciale në Kosovë

Kosova është zhytur në një ngërç të thellë politik pas dështimit për të zgjedhur presidentin e ri të vendit, një situatë që opozita e ka cilësuar si “puç politik” nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas analistit politik Melazim Koçi, veprimet e fundit të maxhorancës përbëjnë një shkelje flagrante të Kushtetutës, ndërsa spekulohet se pas këtij bllokimi fshihet një strategji për të shtyrë zgjedhjet e parakohshme në një moment më të favorshëm elektoral.

Në një analizë të situatës dhënë për “Ora Neës”, Koçi thekson se seanca parlamentare e thirrur për votimin e presidentit ishte antikushtetuese, pasi nuk u arrit kuorumi i nevojshëm prej 80 deputetësh.

Mungesa në sallë e partive kryesore opozitare si LDK, PDK dhe AAK e bëri të pamundur procedimin e ligjshëm të votimit. “Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë shumë të qarta. Nuk mund të procedohet pa 80 deputetë në sallë. Këtu nuk ka vend për interpretim, çdo gjë është e qartë”, shprehet ai.

Sipas analistit, insistimi i Vetëvendosjes për të vazhduar me një proces të tillë e çon pashmangshmërisht çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke e afruar vendin me zgjedhje të reja. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda afateve, Kosova mund t’u drejtohet sërish kutive të votimit në fund të majit ose fillim të qershorit.

Megjithatë, prapa këtij skenari fshihet një tjetër kalkulim i mundshëm. Koçi ngre dyshime se Vetëvendosja mund të jetë duke blerë kohë qëllimisht. Strategjia, sipas spekulimeve në Prishtinë, është që procesi të zvarritet dhe zgjedhjet e reja të mbahen në korrik, gjatë verës. Kjo periudhë përkon me ardhjen masive të diasporës në Kosovë, e cila përbën një bazë të fuqishme elektorale për Lëvizjen Vetëvendosje dhe që ishte vendimtare në fitoren e thellë të zgjedhjeve të fundit.

Në thelb të krizës qëndron dështimi i plotë i dialogut politik. Mekanizmi kushtetues që kërkon 80 vota për zgjedhjen e presidentit është vendosur pikërisht për të detyruar palët të bëjnë kompromise.

Megjithatë, si Vetëvendosja, ashtu edhe opozita, nuk kanë treguar vullnet për të gjetur një kandidat konsensual e jopartiak. “Të dyja palët kanë synuar që posti i presidentit t’u takojë atyre,” shpjegon Koçi, duke shtuar se edhe propozimi i fundit i kryeministrit Albin Kurti që opozita të ofronte emra, nuk ishte një përpjekje e sinqertë për kompromis.

Në këtë klimë mosbesimi dhe përplasjesh, Kosova mbetet peng i një situate të paqartë politike, ku rruga drejt një zgjidhjeje duket se kalon ose nga Gjykata Kushtetuese, ose nga një tjetër palë zgjedhje të parakohshme.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË