MOT EKSTREM NE 3 KONTINENTE! Reshjet e dendura rrezikojnë përmbytje në jug të Kinës! India regjistron temperatura në 45°C, Kanadaja nën zero në fund të prillit
Moti ekstrem po godet disa pjesë të botës njëkohësisht, me reshje të rrëmbyeshme në Azi, temperatura rekord në Indi dhe të ftohtë të pazakontë në Kanada. Autoritetet në vendet e prekura po marrin masa emergjente për të përballuar rreziqet nga përmbytjet dhe kushtet ekstreme.
Moti ekstrem ka goditur globalisht disa kontinente, ku zona të ndryshme po përballen njëkohësisht me përmbytje, valë të nxehti dhe temperatura shumë të ftohta për këtë periudhë të vitit.
Azia, Afrika dhe Amerika e Veriut janë në arlam për kushtet ekstreme me të cilat po përballen qytetarët.
Dhjetëra fshatra në veriperëndim të Sirisë janë përmbytur.
Kina ndodhet në gatishmëri pasi sipas parashikimeve, deri në mes të javës, në 7 rajone pritet të bien mbi 100 mm shi, ndërsa në disa zona prej tyre sasia mund të arrijë deri në 200 mm.
Strukturat për kontrollin e përmbytjeve dhe emergjencave, kanë shtuar masat parandaluese teksa është kërkuar monitorim i vazhdueshëm i rezervuarëve.
Ndërkohë, reshje të forta priten edhe në Bangladesh, në veri të Myanmar-it dhe në lindje të Indisë, ku në disa zona lokalisht sasi e shiut mund të arrijë deri në 400 mm.
Në kontrast me këtë, pjesa qendrore dhe veriore e Indisë po përballet me temperatura ekstreme.
Në disa qytete temperaturat kanë arritur deri në 45°C, të shoqëruara me lagështi dhe rrezatim të fortë ultraviolet.
Reshje të mëdha janë regjistruar edhe në Nigeri, ku përmbytjet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në qytetin Jalingo.
Edhe pse sasia e shiut nuk ka qenë aq ekstreme sa në Azi, infrastruktura e dobët e kullimit ka përkeqësuar situatën, duke bërë që përmbytjet të jenë një problem i përsëritur.
Edhe amerkia veriore është përfshirë nga moti i pazakontë. I ftohti ka goditur pjesën qëndrore dhe perëndimore të Kanadasë.
Qytete si Calgary, Edmonton dhe Saskatoon po përjetojnë temperatura nën zero gjatë ditës, deri në 15°C më të ulëta se mesatarja sezonale.
Kjo valë ka prekur edhe disa shtete veriore të SHBA-ve, ndërsa një ngrohje graduale pritet në fund të javës.

