Vlora bëhet gati për turistët, gazetari: Rikthehen semaforët pas 31 vitesh dhe nis pastrimi i qytetit
Qyteti i Vlorës do të çelë zyrtarisht sezonin e ri turistik më 8 maj, mes pritshmërive për një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve. Përgatitjet janë intensive në disa drejtime, nga infrastruktura rrugore deri te një risi historike për qytetin: instalimi i semaforëve për herë të parë pas 31 vitesh.
Gazetari Ermal Sika, në një lidhje nga Vlora për “Ora News” raportoi se hapja e sezonit do të shënohet me një sërë aktivitetesh të organizuara nga Bashkia e Vlorës, të cilat do të shtrihen përgjatë dy ditëve.
Programi, tha ai, përfshin koncerte, aktivitete sportive dhe argëtim për të gjitha grupmoshat, nga fëmijët tek të rinjtë, duke synuar krijimin e një atmosfere festive për banorët dhe vizitorët e parë.
Në terren, puna është përqendruar në përmirësimin e infrastrukturës. Po punohet për rikthimin në gjendjen e mëparshme të segmenteve rrugore të prekura nga ndërhyrjet për rrjetin e ri të ujësjellësit.
Ky i fundit po ecën me ritme të shpejta, ndërkohë që paralelisht ka nisur edhe asfaltimi i disa rrugëve. Punimet për ujësjellësin në akset kryesore pritet të pezullohen për t'i lënë vend shtrimit dhe asfaltimit përfundimtar përpara fluksit të verës.
Zhvillimi më i rëndësishëm lidhet me sigurinë rrugore. Pas 31 vitesh, Vlora do të ketë sërish semaforë. Instalimi i tyre do të nisë së shpejti si pjesë e një projekti pilot që do të përfshijë pika kyçe si rruga trans-ballkanike, zona e rreth-rrotullimit në skelë dhe segmenti drejt spitalit rajonal. Interesant është fakti se Vlora ka qenë qyteti i parë në Shqipëri me semaforë në vitin 1995, por ato nuk u mirëmbajtën dhe u shkatërruan gjatë trazirave të vitit 1997.
Një tjetër sfidë, u shpreh gazetari Ermal Sika mbetet pastërtia. Institucionet po ndërmarrin aksione pastrimi dhe ndërgjegjësimi, por theksohet se pa bashkëpunimin e qytetarëve, këto nisma nuk janë mjaftueshëm efikase.
Zonat turistike, veçanërisht Pylli i Sodës, vazhdojnë të ndoten nga mbeturina të hedhura nga qytetarë dhe biznese, pavarësisht se janë vendosur gjoba për shkelësit. Përveç këtyre, çështje si ajo e fuqisë punëtore pritet të jenë gjithashtu në vëmendje gjatë sezonit veror.

