Çmimet në stratosferë, Radonshiqi: Ushqimet bazë po kthehen në luks të papërballueshëm për shqiptarët

Blerja e produkteve të domosdoshme të shportës ushqimore po kthehet gjithnjë e më shumë në një luks për familjet shqiptare, veçanërisht për shtresat më të ndjeshme si pensionistët dhe të moshuarit.

Rritja e pandalshme e çmimeve ka bërë që produkte bazë si perimet të jenë të papërballueshme, një situatë që sipas ekspertes së ekonomisë, Romina Radonshiqi nuk është e re, por një problem i thelluar prej kohësh.

Sipas Radonshiqit, e cila ishte e ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora News", kjo krizë çmimesh ka dy shkaktarë kryesorë.

Së pari, vendi vuan nga një mungesë e theksuar e prodhimit vendas. Që prej fillimit të vitit, kushtet e pafavorshme të motit kanë kufizuar ofertën e produkteve bujqësore, sidomos të perimeve. Kjo mungesë në tregun e brendshëm ka çuar natyrshëm në një rritje të çmimeve për konsumatorin.

Së dyti, Shqipëria po përballet me një “inflacion të importuar”. Rritja e çmimit të karburantit në tregjet ndërkombëtare ka një efekt zinxhir që godet direkt xhepat e qytetarëve.

Karburanti, si lëndë e parë thelbësore, ka ndikuar negativisht në kostot e prodhimit në vendet e Bashkimit Europian dhe më gjerë.

Rrjedhimisht, kur Shqipëria importon produkte nga këto vende apo nga rajoni, çmimi i tyre tashmë përfshin koston e lartë të karburantit në vendin e origjinës. Ky fenomen krijon një goditje të dyfishtë. Përveç çmimit fillestar të lartë të produkteve të importuara, atyre u shtohet edhe kostoja e transportit drejt Shqipërisë, e cila gjithashtu është rritur për shkak të çmimit të lartë të karburantit.

Ky kombinim faktorësh bën që produktet të mbërrijnë te konsumatori final me një çmim gati dyfish më të lartë, duke e bërë mbushjen e shportës së përditshme një sfidë gjithnjë e më të vështirë për shumicën e familjeve.

"Në fakt do të doja të theksoja që ka shumë kohë që këto produkte janë kthyer në luks dhe nga mungesa e prodhimit vendas, ne kemi që në, që nga janari, pra kemi parë që, nuk na ka favorizuar dhe moti dhe si i tillë kemi një ofertë të kufizuar të produkteve, sidomos të perimeve dhe në këto kushte shohim pra një mungesë të prodhimit vendas dhe një rritje të çmimeve.

Nga ana tjetër, rritja e çmimit të karburantit edhe për produktet e importuara, pra pikërisht për këto produkte shporte, ka bërë që të rrisi kostot. Doja të theksoja faktin që ne kemi një inflacion të importuar.

Çfarë do të thotë kjo? Që karburanti pra është lëndë e parë e cila ka ndikuar negativisht dhe në vendet e Bashkimit Europian dhe pothuajse në të gjithë, në të gjithë vendet ë, pra të gjithë ndërkombëtarët dhe kjo ka bërë që ne në momentin që importojmë produkte nga vendet e Bashkimit Europian, por jo vetëm, dhe nga vendet e rajonit, do të thotë që çmimi i karburantit shton çmimin e këtyre produkteve.

Tani, në momentin që këto produkte vijnë në Shqipëri, patjetër që i shtohet dhe çmimi i transportit dhe si pasojë kemi një transport më të, më të shtrenjtë nga rritja e karburantit, çka do të thotë që ne na vijnë dyfish më të shtrenjtë", u shpreh Radonshiqi.

Ndiqni intervistën e plotë: