PRONAT, SFIDË PËR ANËTARËSIMIN/ Haxhimali: Zgjidhja kërkon reforma, ndikon integrimin në BE
Çështja e pronave në Shqipëri është një problem historik, zgjidhja e të cilit është një proces i vështirë, por jo i pamundur, vlerëson drejtori i Institutit për Bashkitë, Agron Haxhimali.
Sipas tij, dështimi në këtë drejtim mund të ndikojë edhe në rrugën e Shqipërisë për anëtarësim në BE.
“E gjej të realizueshme për numrin e pronarëve që kemi, ndryshe do të bëhet pengesë.”
E drejta e pronësisë ka futur mijëra qytetarë në beteja ligjore për të fituar atë që shtetëzimi gjatë regjimit komunist u mori, duke u kthyer në një fenomen që ka prodhuar konflikte sociale.
Paralelisht, Haxhimali thotë se sfida të tjera si shërbimet, ndonëse janë adresuar, nuk kanë gjetur zgjidhje për shkak edhe të një hendeku të krijuar midis pushtetit dhe qytetarëve.
“Prandaj duhet reforma territoriale.”-shtoi ai.
Haxhimali ngre shqetësimin edhe për sektorin e bujqësisë.
Modeli ekonomik po zhvendoset kryesisht drejt turizmit, një element që ekspertët e vlerësojnë si të rrezikshëm për shkak se nuk është i qëndrueshëm dhe varet nga flukset e turistëve.

