“Shpërthejnë” prenotimet në Vlorë, Ceno: Duhet të zgjohemi dhe t'u ofrojmë turistëve atë që ata kërkojnë
Sezoni turistik ka nisur vrullshëm këtë vit, me një rritje të ndjeshme të rezervimeve që paralajmëron një tjetër verë rekord për turizmin shqiptar.
Anisa Ceno, Operator turistike në Vlorë, për “Ora News” raportoi se sezoni ka filluar që në ditët e para të prillit, veçanërisht në qytetin e Vlorës, ku hotelet e mëdha kanë tashmë mbi 50% të kapaciteteve të rezervuara për muajt e pikut.
Sipas të dhënave nga operatorët turistikë, ka një rritje prej rreth 10% të prenotimeve krahasuar me të njëjtën periudhë të viteve të mëparshme.
Ky trend pozitiv, tha Ceno, vërehet kryesisht në hotelet me kapacitete të mëdha në Vlorë, të cilat punojnë me grupe të organizuara turistike dhe i programojnë rezervimet një deri në dy vite përpara.
Ky start i hershëm i sezonit, i cili në Vlorë nisi të gjallërohej menjëherë pas festave të Pashkëve, po sfidon mentalitetin e një turizmi të përqendruar vetëm në dy apo tre muaj vere.
“Sezoni turistik tashmë mund të themi që ka nisur qysh prej ditëve të para të prillit. Tashmë dihet që pas pashkëve qyteti i Vlorës gjallërohet, rrugët gjallërohen, plazhet gjallërohen.
Ne si biznese duhet të konsiderojmë faktin që tashmë nuk mund të konsiderojmë turizmin detar vetëm dy muaj apo tre muaj siç ndodhte tre-katër vite më parë, por fakti që plazhet janë gjallëruar me turistë vendas apo të huaj, duhet të na bëjë të reflektojmë që dhe strukturat tona dhe plazhet t'i organizojmë në mënyrë të tillë që të presin sa më shumë turistë.
Dua të them që Vlora në fakt është një qytet që njësitë akomoduese dhe njësitë turistike janë të hapura përgjithësisht gati 70-80% janë të hapura gjatë gjithë vitit dhe ne i presim turistët gjatë gjithë vitit, por për fat të keq kjo gjë nuk ndodh ende në jug, të cilët e shikojnë akoma turizmin në mënyrë, në një periudhë akoma më të shkurtër, duke filluar prej muajit qershor dhe prej deri në muajin shtator. Pra, duhet të zgjohemi të themi dhe t'u ofrojmë turistëve atë që ata kërkojnë, pra, gjithashtu dhe shërbimin në plazh”, u shpreh Ceno.
Një zhvillim i veçantë këtë vit është zgjerimi i tregjeve nga vijnë turistët. Përveç tregjeve tradicionale, Shqipëria po tërheq interes edhe nga vende më të largëta dhe të papritura si Kanadaja dhe Japonia, duke dëshmuar për një rritje të profilit ndërkombëtar të vendit si një destinacion tërheqës dhe konkurrues.

