"“IDIOTË” ME URDHËR TË RAMËS", Berisha: Deklarata e ministrit të Jashtëm Hoxha është me porosi të tij
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj debatit për një deklaratë të pretenduar të shefit të diplomacisë, Ferit Hoxha kundejt shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Berisha akuzon kryeministrin Edi Rama për heshtje, duke e lidhur këtë me përgjegjësi direkte politike. Ai ngriti shqetësime edhe për marrëdhëniet diplomatike me Greqinë e gjendjen ekonomike në vend.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi për qëndrimin e kryeministrit Edi Rama lidhur me debatin ku pretendohet se shefi diplomacisë, Ferit Hoxha u është drejtuar shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut me termin “idiotë”.
Kryedemorkati tha se kryeministri ka heshtur për këtë rast, pasi sipas tij, ajo deklaratë është porosi e vetë Ramës.
Berisha: "Heshtja dhe mosreagimi i Edi Ramës dëshmon se kjo deklaratë e ministrit të tij të Jashtëm është porosi e tij dhe e lidhur direkt me të, mbasi e vërteta është se ky reagim erdhi kur një portal i Maqedonisë së Veriut kishte sulmuar Edi Ramën si një mafioz dhe tani pse nuk ngriheshin, pse nuk reagonin në demonstrata shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, shpallen idiotë nga Edi Rama dhe ministri i tij. Akt i turpshëm, antikombëtar!"
Berisha preku edhe vizitën e Ramës në Greqi dhe marrëveshjen e partneritetit strategjik me fqinjin tonë jugor.
Berisha: "Edi Rama në monologun e mashtrimeve të dielës sërish nxorri serialin e tyre pa u skuqur dhe pa u zverdhur. Premtoi se do të realizojë një marrëveshje partneriteti strategjik me Greqinë në një kohë kur, faktikisht, lejoi të skadojë traktati i miqësisë me këtë vend dhe krijoi një seri problemesh madhore të paqena më parë."
Një koment e kishte edhe për situatën ekonomike të vendit.
Berisha: "E vërteta është se ekonomia shqiptare është në kolaps, se prodhimi bujqësor dhe prodhimi industrial janë në recesion prej dy-tre vitesh. Ekonomia shqiptare mbahet nga aparati i drogës, sektori i ndërtimit, me një tregues tre herë më të lartë se në Bashkimin Europian. Në fjalën e tij, mashtrim, u ndal tek siguria ushqimore. Siguria ushqimore është pothuajse inekzistente në Shqipëri. Dhe kjo ka si shkak kryesor mafien dhe vetëm mafien shtetërore."
