ARKIVI/ Nga Kënga e Alfabetit tek ditari për zbarkimin e Çerçiz Topullit, ekspozohen dokumentet e rralla

Këto blloqe dhe shënime të shfaqura me kujdes nga Arkivi i Shtetit u përkasin emrave që kanë mbetur të ngulitur në historinë shqiptare.

Memorie politike e kulturore përshkruhen në këto dorëshkrime te rralla, nga Kënga e Alfabetit deri tek ditari për zbarkimin e Çerçiz Topullit në Gjirokastër.

“Sot është dita shqipëtare,

të përpiqemi Alfabetin tonë ta mbrojmë,

shpejt burrani”

Ky është shkrimi me dorë i Parashqevi Qiriazit dhe vargu i kushtohet Alfabetit

Nuk mund të mungonte në këtë ekspozitë të Arkivës së Shtetit as ditari personal i Musine Kokalarit. Këto janë shënimet e saj mbi realitetin e e saj përpara luftës, si dhe vepra origjinale satirike e Andon Zako Çajupit “Baba Musa lakuriq” e cila ndër vite mbetet aktualitet.

E gjitha e shkruar me dorën e tij!

“E lau, e zbukuroi,

Tek i shoqi e dërgoi

Dalla që natën e parë

Me Jakobin ‘u bë me barrë”

Ngjitur me të, kapërcehet në histori, ku gjenden shënimet e përditshme të regjisorit Aleksandër Xhuvani, ku në të janë mbajtur mendime për xhirimet apo dhe llogari ditore rreth shpenzimeve.

“Kur në korrik të 1908 u shpall Kushtetuta, dhe çeta kryengritëse e Çerçiz Topullit zbriti nga malet dhe hyri triumfuese ne Gjirokastër” - Një fragment ky nga ditari i Thoma Papapanos si dëshmitar i ngjarjes historike dhe që më pas shërbeu si material referimi për krijimin e filmit të heroit kombëtar gjirokastrit.

Dokumentet hedhin dritë dhe pasqyrojnë zhvillimin kulturor e shoqëror të Shqipërisë gjatë periudhave të rilindjes, luftrave dhe diktaturës.

Përpilimi i tyre si dhe gjetja e datave të sakta ka qënë një sfidë pasi vetëm familjarët e këtyre personaliteteve mund t’i identifikojnë me saktësi. Për këtë foli historiani dhe kuratori i dokumenteve, Denald Prifti.

Kjo ekspozitë vjen si nismë nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivit, në një përpjekje për të ngjallur interes tek publiku i gjerë dhe të apasionuarit e historisë në brezat e rinj.