Amaneti i fundit dhe lamtumira modeste, Çipa: Rexhep Qosja shembull unik i një intelektuali klasi. Refuzoi protokollet formale
Ndarja nga jeta e akademikut Rexhep Qosja ka lënë pas jo vetëm një humbje të madhe për botën akademike e kombin shqiptar, por edhe një debat të thellë publik, të nxitur nga amaneti i tij i fundit: një lamtumirë modeste, pa ceremoni dhe pa homazhe shtetërore.
Në një analizë të thelluar për “Ora News”, gazetari Aleksandër Çipa e interpreton këtë kërkesë si një akt autenticiteti intelektual dhe një mesazh të fuqishëm kundër protokolleve formale.
Sipas Çipës, dokumenti epistolarik i lënë nga Qosja dhjetë vite para se të ndërronte jetë është një zgjedhje e përkorë prej shkrimtari, i cili vendosi të refuzojë “ceremonialitetet dhe protokollet që karakterizojnë shoqëritë formale”.
Ky akt, sipas tij, përfaqëson thelbin e një intelektuali të klasit, i cili zgjodhi një ikje të ndërgjegjshme, në përputhje me staturën e tij si shkencëtar i albanologjisë dhe qytetar i angazhuar për çështjen kombëtare.
“Ai përfaqësonte vetveten si një intelektual klasi, si një interpret dhe qytetar i angazhuar i interesit kombëtar dhe në mënyrë të veçantë si një polemist në marrëdhënie me botën intelektuale të arealit ballkanik”, theksoi Çipa.
Ai shtoi se ky gjest mund të konsiderohet një rast unik në historinë e kulturës epistolarike shqiptare.
Duke analizuar rolin e tij politik dhe shoqëror, Çipa e përshkroi Qosjen si një figurë kyçe në momente kritike për shqiptarët, veçanërisht për Kosovën.
Ai përmendi angazhimin e tij në mbështetje të lëvizjes studentore të vitit 1981, vlerësimin për Luftën Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe qëndrimin e matur në Konferencën e Rambujesë. Çipa e cilësoi Qosjen si një “polemist që i vuri me shpatulla për muri interpretët e shovinizmit serb”.
Ai rikujtoi ligjëratat e akademikut në gjuhët sllave, ku me guxim mbronte kauzën shqiptare në një ambient intelektualisht agresiv, duke luftuar kundër stigmatizimit të shqiptarëve.
Në lidhje me reagimet negative dhe sulmet online pas vdekjes së tij, Çipa i quajti ato “ndotje etike” nga individë dhe entitete keqdashëse, që sipas tij, “e kanë patologji shembjen e kodit të respektimit të vdekjes”.
Megjithatë, ai pranoi se Qosja, si çdo figurë publike, mund të kritikohet për qëndrime të caktuara politike. Por, Çipa këmbënguli se “për çështjet themelore politike shqiptare dhe për historinë politike të shqiptarëve, ai në asnjë moment nuk ka qenë i gabuar”.
Në fund, figura e Rexhep Qosjes mbetet ajo e një “militanti të shkëlqyer” dhe një ligjëruesi të pazakontë, i cili përmes një gjuhe shqipe të pasur arriti të “estetizonte ligjërimin dhe komunikimin publik”, duke lënë një trashëgimi të thellë dhe të debatueshme, por padyshim thelbësore për mendimin dhe identitetin kombëtar.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË

