“Nuk e mbulon dot skandalin me mashtrim”/ Këlliçi i kërkon dorëheqjen ministrit Hoxha: Ke nisur 'gjuetinë' për të gjetur personin që nxori mesazhin

Deputeti demokrat, Belind Këlliçi ka reaguar sërish pas publikimit të mesazhit të ministrit të Jashtëm Ferit Hoxha, i cili shprehet në mënyrë ofenduese ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Këlliçi kërkoi dorëheqjen e tij, si e vetmja mënyrë për të shpëtuar dinjitetin e Institucionit.

Ai tha se nuk mund ta mbulojë dot skandalin duke mashtruar dhe duke fshirë mesazhin nga grupi. Deputeti demokrat tha se Hoxha ka nisur një 'gjueti' shtrigash për të gjetur personin që nxori mesazhin.

Postimi i Belind Këlliçit:

Ferit, nuk kalohet ky incident i rëndë, kjo shkelje e paprecedentë e etikës duke fshirë mesazhin, ku ke fyer shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe duke genjyer me zëdhënës për media. Gjurmët e tua janë aty, tek grupi “Ambasadorët”. Jo vetëm e ke bërë atë koment poshtërues, por tani ke nisur gjuetinë e shtrigave për të gjetur personin që nxori mesazhin.

Nuk e mbulon dot skandalin me mashtrim. Jep dorëheqjen, është e vetmja mënyrë që të shpëtosh dinjitetin e Institucionit që drejton dhe të korrigjosh dëmin që ke shkaktuar në diplomacinë e Shqipërisë. Çdo orë, çdo ditë më shumë e jotja në krye të Ministrisë së Jashtme është një turp për të gjithë ne.