“Deklaratë e papranueshme, dorëheqje e menjëhershme”/ Bardhi publikon mesazhet e ministrit të Jashtëm: Cënon dinjitetin e shqiptarëve në Maqedoni

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratës së Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, drejtuar shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Bardhi e ka cilësuar të papranueshme gjuhën e përdorur nga ministri, duke thënë se një zyrtar i tillë nuk mund të përdorë fjalë fyese ndaj qytetarëve dhe se kjo bie ndesh me detyrën e tij publike.

Sipas tij, një sjellje e tillë dëmton dinjitetin e shqiptarëve dhe përfaqësimin e vendit në arenën ndërkombëtare.

Ai ka kërkuar që ministri të japë dorëheqjen menjëherë, ndërsa i ka bërë thirrje edhe kryeministrit që të distancohet dhe ta shkarkojë atë nga detyra.

Bardhi ka shtuar se përdorimi i kësaj gjuhe nuk është i denjë për një përfaqësues shteti dhe cenon rëndë institucionet e Republikës së Shqipërisë.