TERRITORIALJA DREJT FINALIZIMIT/ Bylykbashi: Mazhoranca-opozita në një linjë për reformën, procesi me ritëm të shpejtë

Në një lidhje direkte për Ora News, deputetja e PS-së, Aulona Bylykbashi, foli për ecurinë e reformës territoriale, e cila ka hyrë në një fazë intensive konsultimesh në terren.

Komisioni i posaçëm ka vijuar dëgjesat publike në qarqe, pas ndalesës së parë në Lezhë, ndërsa takimi i radhës u zhvillua në Gjirokastër, me pjesëmarrjen e ekspertëve, deputetëve dhe aktorëve lokalë.

Bylykbashi u shpreh se procesi tashmë ka kaluar fazën e përplasjeve politike dhe po ecën me bashkëpunim.

“Është dëgjesa e dytë që zhvillohet në qendrat e qarqeve. Pas Lezhës, sot jemi në Gjirokastër me të gjithë ekipin e komisionit dhe deputetët përkatës për të vijuar konsultimet për reformën territoriale.”-u shpreh Bylykbashi.

Ajo sqaroi se fillimi i procesit është shoqëruar me debate mes palëve, por situata ka ndryshuar.

“Faza e debatit është tejkaluar. Tani ka një bashkëpunim të plotë mes mazhorancës dhe opozitës dhe kjo duket edhe nga prezenca e përbashkët në dëgjesa. Puna po ecën me ritëm për të përmbushur afatet.”-shtoi ajo.

Në këto takime po përfshihen kryetarë bashkish, përfaqësues të prefekturave, këshilltarë dhe ish-drejtues vendorë, me synimin për të reflektuar nevojat reale në hartën e re administrative.

Procesi pritet të përmbyllet brenda fundit të muajit korrik, me hartimin e propozimeve përfundimtare.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: