Qeveria miraton indeksimin e pensioneve me 6.4%/ Ndryshon mënyra e llogaritjes për pensionet nga viti 2026

Qeveria ka miratuar indeksimin e bazës së pensioneve në masën 6.4 për qind.

Ky vendim lidhet me mënyrën e llogaritjes së pensioneve të reja dhe do të zbatohet për të gjithë qytetarët që fitojnë të drejtën për pension nga 1 janari 2026 e në vijim.

Indeksimi prek pagat dhe kontributet e derdhura deri në vitin 2024, të cilat përdoren për të llogaritur pensionin fillestar mujor.

Sipas vendimit, baza e vlerësuar nuk mund të kalojë kufij të caktuar, që lidhen me pagën minimale dhe atë maksimale në vend, sipas periudhave përkatëse.

Efektet financiare të këtij ndryshimi do të përfshihen në buxhetin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe do të zbatohen vetëm për pensionet e reja që caktohen pas datës 1 janar 2026.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore është ngarkuar për zbatimin e këtij vendimi, i cili hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.