"Ata idi*tët shqiptar atje..."/ Ministria e Jashtme 'hedh poshtë' mesazhet e ndara nga PD: Janë të pavërteta

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas publikimeve në media sociale që lidhen me ministrin Ferit Hoxha dhe që janë shpërndarë nga Partia Demokratike.
Zëdhënësi i ministrisë ka bërë të ditur se mesazhet e publikuara nuk janë të vërteta dhe nuk kanë lidhje me realitetin. Sipas tij, bëhet fjalë për komunikime të fabrikuara që po qarkullojnë në mënyrë të qëllimshme.
Në reagim thuhet se është shqetësuese që pretendime të tilla përhapen në publik dhe më pas amplifikohen nga aktorë politikë. Po ashtu, nënvizohet se nuk është hera e parë që hidhen akuza të tilla ndaj shërbimit të jashtëm.
Ministri Ferit Hoxha, sipas ministrisë, ka besim të plotë te profesionalizmi i stafit diplomatik, i cili vijon punën e tij normalisht dhe pa u ndikuar nga këto polemika.
Ministria e Jashtme e cilëson të gjithë situatën si dezinformim dhe kërkon që komunikimet e tilla të mos merren si të vërteta.
REAGIMI:
“Zëdhenësi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh keqardhjen për publikimet e shpërndara sot në mediat sociale, të cilat pretendojnë të paraqesin komunikime të brendshme, por që në fakt janë të pavërteta. Ato nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Komunikimi i servirur publikut është i paqenë.
Është për të ardhur keq që pretendime të tilla fabrikohen dhe më pas amplifikohen nga aktorë politikë në vend.
Kjo nuk është hera e parë që në arenën publike hidhen pretendime se anëtarë të shërbimit të jashtëm gjoja shkelin betimin e tyre.
Ministri Hoxha shpreh besim të plotë në ndershmërinë dhe profesionalizmin e Shërbimit të Jashtëm, i cili vijon të përmbushë detyrat me përkushtim, duke u fokusuar në punën e tij dhe duke mos u ndikuar nga zhurmat dhe tymnajat e qëllimshme”

