Vera te dera, Gonxhja për “Ora News”: Ja plani për t’i dhënë fund mbetjeve dhe ujërave të ndotura gjatë sezonit

Në prag të sezonit të ri turistik veror, autoritetet shtetërore kanë prezantuar një sërë masash që synojnë zgjidhjen e problemeve kronike me menaxhimin e mbetjeve dhe trajtimin e ujërave të ndotura në zonat bregdetare dhe ato liqenore.

I pyetur nga gazetari i “Ora News” Bekim Bici, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Gonxhja bëri të ditur se është hartuar një plan i detajuar për të garantuar një sezon më të pastër dhe për të evituar imazhet negative të viteve të kaluara.

Një ndryshim thelbësor në strategjinë e këtij viti është riorganizimi institucional, ku përgjegjësia kryesore për menaxhimin e mbetjeve dhe pastrimin i kalon Ministrisë së Mjedisit. Kjo ministri do të koordinojë punën e task-forcave në nivel rajonal dhe kombëtar për të siguruar një përgjigje më efikase ndaj problemit të mbeturinave.

Përveç kësaj, Agjencia Kombëtare e Bregdetit ka nënshkruar një kontratë shtesë për të mbështetur bashkitë, duke zgjeruar skemën e ndihmës për të përfshirë edhe Bashkinë e Lezhës dhe atë të Pogradecit. Plani parashikon ndërhyrje me orare dhe në zona specifike, veçanërisht në pikat e konsideruara problematike, me qëllim një nivel më të lartë pastërtie.

Sa i përket problemit të ujërave të ndotura, u theksua se situata paraqitet ndjeshëm më e përmirësuar krahasuar me vitet e mëparshme. Kjo falë investimeve të kryera në instalimin e impianteve të reja për trajtimin e ujërave dhe përmirësimin e infrastrukturës së kanalizimeve në disa bashki.

Një masë e re dhe e rëndësishme është detyrimi ligjor për hotelet, sidomos ato me kapacitete të mëdha, që të instalojnë sisteme paraprake të trajtimit të ujërave përpara se t’i shkarkojnë ato në rrjetin kryesor. Sipas ministrit, bizneset po investojnë për t'u pajisur me këto sisteme.

Në përfundim, u bë e qartë se do të ketë një koordinim të ngushtë me të gjithë aktorët, përfshirë tour-operatorët dhe njësitë hoteliere, për të adresuar në kohë çdo problematikë.

Ndaj subjekteve që nuk do të respektojnë rregullat dhe nuk do të zbatojnë detyrimet ligjore për mbrojtjen e mjedisit, do të aplikohen masa të rrepta ndëshkuese, përfshirë gjoba dhe penalitete të tjera të parashikuara në legjislacion.

PRONNONCIMI I MINISTRIT GONXHJA

Përshëndetje zoti ministër, Bekim Bici, Ora News. Meqënëse po afron edhe çelja e sezonit të ri turistik veror. Në sezonin e kaluar pati probleme përsa i përket disa zonave me furnizimin me ujë të pijshëm, por edhe problemi kryesor, ai i mbetjeve, pra mos trajtimi në mënyrën e duhur të mbetjeve. A ka marrë masa Ministria juaj për, le të themi, evitimin e këtyre problematikave të konstatuara në vitin e kaluar?

Blendi Gonxhja: Ju e dini që me krijimin e Ministrisë së re të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, ka pasur një riorganizim në nivel institucional dhe ka një ndarje të portofoleve. Në këtë rast mjedisi ka përsipër edhe gjithë problematikën sa i takon trajtimit të mbetjeve dhe pastrimit në kuptimin ë e rangut të vendit, në kuptimin e gjithë politikave dhe ë, të themi masave që i takojnë pastrimit, trajtimit të mbetjeve dhe natyrisht që ne jemi pjesë aktive e grupeve dhe e task forcës apo e njësive që do të krijohen në nivel ë rajonal por edhe në nivel vendi nga Ministria e Mjedisit në këtë rast, e cila po ndërmerr hapat e duhur për të garantuar një sezon edhe më të pastër në kuptimin e sezonit veror, por edhe në përgjithësi për gjithë vitin.

Megjithatë, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, për shkak se e ka kryer dhe vjet, ka dhe një kontratë shtesë në ndihmë të bashkive, ku kemi shtuar dhe dy bashki të tjera mbi skemën që ishte vjet. Që është, kam përshtypjen Bashkia e Lezhës dhe Bashkia e Pogradecit, ku do të kemi një nivel, si të themi, edhe më të mirë pastrimi, në disa orare, në disa zona, për disa prej pikave problematike që kemi në këto bashki, në përgjithësi në të gjithë bashkitë që janë bregdetare apo me liqene, siç është rasti i Pogradecit, që të kemi një ë sezon, por edhe një vit shumë më të pastër nga pikëpamja e ë mbulimit të shërbimit të pastrimit, por edhe e trajtimit të mbetjeve për sa i takon mbetjeve që janë gjithsesi në shtim për shkak të numrit të lartë të turistëve që ne presim.

Për ujësjellësin, natyrisht që dhe ky është një problem që lidhet shumë me bashkitë në disa raste. Për disa prej bashkive që e kanë nën administrim, por lidhet shumë edhe me Agjencinë Kombëtare të ë Kanalizimeve, të ujërave dhe kanalizimeve, që është në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe që ne jemi në kontakt të vazhdueshëm natyrisht edhe me ta sa i takon gjithë problematikave.

Kemi bërë takime të vazhdueshme me tur operator, me, të themi, menaxherë në nivele hotelesh, me gjithë pjesën e hotelerisë, shoqatave të tyre, për të marrë problematika, për t'i përcjellë. Në çdo takim ka qenë pjesë natyrisht përfaqësues të ndryshëm të agjencive, të institucioneve dhe po mundohemi shumë që të kemi një koordinim sa më të mirë në këtë sezon.

Në përgjithësi, situata mund ta them që është mjaft më mirë me vendosjen e pajisjeve të trajtimit të ujërave të ndotura në vitin e shkuar dhe me ë, si me thënë, rregullimin ose le të themi përmirësimin në disa prej bashkive të disa prej infrastrukturave kryesore të kanalizimeve dhe të kolektorëve, të cilët kanë garantuar një lidhje të shumë subjekteve me rrjetin, edhe pse në kërkesën që ka VKM-ja përkatëse, në përgjithësi hotelet, ato që janë me nivelin më të lartë të këtyre ujërave ndotëse, të kenë dhe pajisjet përpara sesa të hyjnë në rrjet dhe janë duke investuar dhe janë duke u plotësuar me këto ë sisteme, të cilat natyrisht që në rast se nuk janë, ë subjektet përballen me masa dhe me gjoba dhe me penalizime që i parashikon ligji dhe VKM-ja përkatëse.