Nga “Pallati i ëndrrave” në rrugët e kryeqytetit, Anisa Ymeri na zbulon “Tiranën e fshehtë të Kadaresë”
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Librit, më 23 Prill, “Studio Muze Kadare Agolli” do të prezantojë një nismë të veçantë që synon të ndërthurë letërsinë me hapësirën urbane të kryeqytetit.
Përmes një itinerari letrar të titulluar “Tirana e Kadaresë”, lexuesit dhe qytetarët do të kenë mundësi të rizbulojnë kryeqytetin përmes syve dhe veprës së shkrimtarit Ismail Kadare.
Lajmi u bë i ditur ën studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News” nga drejtoresha e qendrës, Anisa Ymeri, e cila zbuloi se projekti do të inaugurohet në bashkëpunim me Departamentin e Letërsisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë.
Aktiviteti do të nisë me një ekspozitë të vogël në hollin qendror të fakultetit, ku do të shfaqen artefakte të lidhura me letërsinë, çmime letrare dhe portrete të Kadaresë.
Pjesa qendrore e kësaj nisme është itinerari letrar, i cili do të jetë një udhëtim si imagjinar, ashtu edhe fizik. Faza e parë e këtij projekti do të fokusohet tek një prej veprave më ikonike të autorit, “Pallati i Ëndrrave”. Sipas Ymerit, ky itinerar do të jetë “shumë fizik”, duke lidhur vendndodhje reale të Tiranës me ngjarjet, personazhet dhe atmosferën e romanit.
Ky koncept kërkon të eksplorojë raportin e fuqishëm që Kadare ka ndërtuar në veprën e tij me qytetet, jo vetëm me Tiranën, por edhe me Gjirokastrën e Parisin.
Nisma “Tirana e Kadaresë” nuk është e re, por një zhvillim i një ideje të lindur që në hapjen e muzeut në vitin 2019, me qëllim krijimin e një ure lidhëse mes trashëgimisë letrare dhe jetës së përditshme të qytetit.
Ky aktivitet pasuron programin e Ditës së Librit në fakultet, ku do të jenë të pranishëm edhe autorë të tjerë, përfshirë shkrimtarin e njohur turk, Tarik Tufan.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ORA E BETIT” NË “ORA NEWS”

