Bordi i Transparencës ndryshon sërish çmimet/ Rritet nafta dhe benzina, ja çmimet e reja

Bordi i Transparencës ka vendosur rritjen e çmimit të karburanteve në vendin me 5 lekë për litër. Nafta do të shitet me 202 lekë për litër me pakicë dhe 190 lekë me pakicë, ndërsa benzina 176 lekë me pakicë dhe 164 lekë me shumicë. Vendimi vjen si reflektim i zhvillimeve në Lindjen e Mesme, ku bllokimi i Ngushticës së Hormuzit ndikon drejtpërdrejt tek tregjet globale të energjisë.

Bordi i Transparencës ngre sërish çmimin e naftës në vendin tonë.

Në mbledhjen e fundit është vendosur që çmimi i shitjes me pakicë i naftës të jetë jo më shumë se 202 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 190 lekë/litër.

Ndërkohë, çmimi i shitjes me pakicë i benzinës do të jetë jo më shumë se 176 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 164 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi hynë në fuqi me datë 22 ora 12.30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Krahasuar me mbledhjen e fundit të Bordi nafta me pakicë dhe shumicë është shtrenjtuar me 5 lekë për litër.

Ashtu sikurse zakonisht, Bordi tërheq vëmendjen ndaj çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi, përndryshe  do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Aktualisht, duke qenë se çmimi i vendosur nuk e kalon shifrën 220 lekë për litër, nuk aplikohet ulja e akcizës, për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë.

Sipas të të dhënave të ardhurat doganore rezulton 52.9 miliardë lekë me rritje të lehtë krahasuar me vjet.

Konkretisht, nga akciza u mblodhën 14.9 miliardë, nga TVSH-ja në import 35.5 miliardë lekë, ndjekur nga taksat doganore me 2.2 miliardë dhe më pas renta minerare në eksport, në shumën 357 milionë lekë.

Këto vlera i atribuohen kryesisht rritjes së çmimeve, sidomos të karburantit dhe të perimeve, që nisën të shtrenjtohen menjëherë pas luftës në Lindjen e Mesme.