“Shtëpia po kthehet në luks”/ Muçi: Paratë e dyshimta dhe turizmi po i nxjerrin shqiptarët jashtë tregut të banesave
Në studion e emisionit “Ora e Betit” ishte i ftuar deputeti i Lëvizja Bashkë, Redi Muçi, i cili foli për situatën e tregut imobiliar në vend dhe rreziqet që po shfaqen.
Sipas tij, sektori i ndërtimit në Shqipëri po përdoret jo vetëm për zhvillim urban, por edhe si një mënyrë për të futur në qarkullim para me burim të dyshimtë.
Ai e lidh këtë me rritjen e vazhdueshme të çmimeve të apartamenteve, që po i largon qytetarët nga mundësia për të blerë një banesë.
“Shtëpia nuk është thjesht mall tregu, është një nevojë bazë për jetesë. Por sot po trajtohet si mjet fitimi dhe jo si e drejtë.”-tha ai.
Muçi ndalet edhe te ndikimi i turizmit dhe interesi në rritje i blerësve të huaj. Ai sjell si shembull rastin e Greqia, ku politika për tërheqjen e investitorëve në pasuri të paluajtshme solli rritje të fortë çmimesh dhe përjashtim të qytetarëve vendas nga tregu.
Në atë rast, shumë apartamente u kthyen në biznese me qira ditore, duke i shërbyer turizmit dhe jo nevojës për strehim.
“Në Greqi u pa qartë, apartamentet u blenë nga të huajt dhe u kthyen në Airbnb. Qytetarët vendas mbetën jashtë tregut.”- u shpreh Muçi.
Ai paralajmëron se një situatë e ngjashme mund të ndodhë edhe në Shqipëri, ku interesi i blerësve të huaj, përfshirë nga rajoni dhe më gjerë, po rritet.
Nëse nuk merren masa, tregu mund të shkojë drejt një modeli ku prona blihet për spekulim dhe jo për banim.
Sipas tij, kjo do ta bëjë gjithnjë e më të vështirë për qytetarët shqiptarë të sigurojnë një shtëpi në vendin e tyre.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT" NË ORA NEWS:

