Shehaj ngre shqetësimin për “Jet Bank”/ Dyshime për kompani fiktive dhe mungesë transparence në licencim

Ekspertja e ekonomisë, Brisida Shehaj, ka reaguar lidhur me çështjen e “Jet Bank”, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si është ndjekur procesi i vlerësimit dhe licencimit nga institucionet përgjegjëse.

Sipas Shehajt, Banka e Shqipërisë duhet të kishte treguar një kujdes shumë më të madh gjatë analizimit të aplikimit, duke mos u kufizuar vetëm te kompania dhe individët e përfshirë, por duke verifikuar në mënyrë të plotë edhe burimet e likuiditetit.

“Ligji e përcakton qartë që duhet të analizohet jo vetëm kompania dhe individi, por edhe informacioni mbi likuiditetin. Aksionerët duhet të faktojnë se kanë likuiditetet e nevojshme”, është shprehur ajo.

Shehaj ka theksuar gjithashtu se kompanitë e përfshira në këtë proces janë regjistruar së fundmi, duke përmendur korrikun e vitit 2025 për njërën prej tyre dhe gushtin për një kompani në Qipro, duke ngritur dyshime mbi natyrën e tyre.

“Duket se janë kompani të krijuara posaçërisht për këtë proces”, ka deklaruar ajo.

Më tej, ekspertja ka kërkuar transparencë mbi figurat e përfshira në projekt, duke përmendur Idan Avishai dhe Oliver Hemmer, si dhe duke vënë në dukje nevojën për verifikim të burimeve financiare dhe përvojës bankare të tyre.

“Duhet të dimë çfarë pune ka bërë Idan Avishai dhe cilat janë të ardhurat e tij. Ligji kërkon që kapitali të jetë i faktuar dhe jo i huazuar”, u shpreh Shehaj.

Ajo ka shtuar gjithashtu se Banka e Shqipërisë duhet të kishte verifikuar më thellë edhe eksperiencën bankare të individëve të përfshirë, si dhe mënyrën se si janë njohur dhe bashkëpunuar palët në këtë projekt.

“Banka e Shqipërisë duhet të ishte shumë e kujdesshme. Ligji e përcakton shumë qartë duhet të analizojnë jo vetëm kompaninë dhe individin por duhet të marrë informacion për likuiditetin.

Aksionerët duhet të faktojnë se ka likuditete.  Kjo kompani është regjistruar në korrik të 2025. Po ashtu dhe kompania në Qipro në gusht.

Janë kompani të krijuara për këtë proces.

Duhet të dimë çfarë pune paska bërë ky Idan Avishai, kush janë të ardhurat e tij, ligji e ka specifik se duhet të ketë të ardhurat e veta dhe jo të huazara.

Banka e Shqipërisë duhet të kishte parë eksperiencën bankare të këtij individi.

Ku u njohën këta të dy Idan Avishai dhe Oliver Hemmer. Kompania duhet të sqaronte këtë gjë”, është shprehur Brisida Shehaj në një dalje televizive.