“Në AKU shkohet për para”/ Gazetari flet 'pa doreza': Skemë ndarjeje parash nga inspektorët te drejtuesit

Në studion e Ora News ishte i ftuar gazetari Granit Sokolaj, i cili foli për problematikat brenda Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe mënyrën si funksionon sistemi i kontrollit ushqimor në vend.

Sokolaj, që ka qenë më herët pjesë e këtij institucioni në sektorin e komunikimit, përshkroi një realitet shqetësues, ku sipas tij, shumë punonjës nuk hyjnë në institucion për të zbatuar ligjin, por për përfitime personale.

“Ka njerëz që duan të shkojnë në AKU jo për t’i shërbyer konsumatorit, por sepse mendojnë që aty ka para.”-shtoi Sokolaj.

Ai foli për një skemë të përhapur në terren, ku përfitimet e paligjshme nuk mbeten vetëm te inspektorët, por ndahen në disa nivele brenda strukturës.

“Nuk është vetëm inspektori. Është një frymë. Drejtori rajonal kërkon pjesën e vet, drejtori i menaxhimit po ashtu.”-u shpreh gazetari.

Sokolaj solli edhe raste konkrete.

Një subjekt në Elbasan, që kishte operuar për rreth 15 vite dhe eksportonte produkte peshku, u mbyll vetëm pasi u kontrollua nga auditues të huaj. Sipas tij, biznesi kishte funksionuar për vite me radhë në kushte të papranueshme pa u ndëshkuar nga strukturat vendase.

Një tjetër rast u përmend në Durrës, ku një subjekt i përpunimit të vezëve u gjet me probleme higjieno-sanitare gjatë inspektimeve ndërkombëtare.

Sipas gazetarit, këto raste tregojnë një problem më të thellë, ku kontrolli shpesh dështon dhe bizneset paralajmërohen para inspektimeve ose i shmangen penaliteteve përmes korrupsionit të vogël.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: