“Shqipëria më e varfër, por me kullat më të larta”/ Saraçi: Paratë e ndërtimit mbeten mister

I ftuar në emisionin “Ora e Betit”, gazetari Romir Saraçi foli për zhvillimet në tregun e ndërtimit dhe dyshimet mbi burimin e parave që po financojnë këtë bum.

Sipas tij, Shqipëria po përjeton një kontrast të fortë, një vend me të ardhura të ulëta, por me ritme të larta ndërtimi dhe kulla që po shtohen çdo vit.

Ai ngriti pikëpyetje mbi burimin e investimeve, duke përmendur se shifrat zyrtare nuk japin të gjithë panoramën.

“Jemi vendi më i varfër në Europë, por me kullat më të larta. Ky është një kontrast që nuk shpjegohet lehtë.”-u shpreh Saraçi.

Ai u ndal edhe te investimet e huaja në ndërtim, duke vënë në dukje se një pjesë e tyre mund të jetë formale, ndërsa pjesa tjetër mbetet e paqartë për publikun.

Në diskutim u përmend edhe ideja e amnistisë fiskale dhe ndikimi që ajo mund të ketë pasur në qarkullimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme.

“Këto para që po hyjnë në ekonomi lidhen me një praktikë që ngjan me amnisti në terren, ku fondet futen në ndërtim dhe bëhen të ligjshme.”-tha ai.

Saraçi solli si shembull rastet e shqiptarëve jashtë vendit, ku paratë e fituara në mënyra të paligjshme dyshohet se rikthehen në Shqipëri përmes blerjes së pronave.

Sipas tij, ky proces po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve dhe në vështirësinë e qytetarëve për të blerë banesa.

Debati mbetet i hapur, ndërsa mungesa e transparencës për origjinën e fondeve vijon të jetë një nga shqetësimet kryesore për tregun imobiliar në vend.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT" NË ORA NEWS: