PONARI SHPJEGON INDUSTRINË E SIGURIMEVE/ CEO i SIGAL: Bazohet mbi besim dhe kontratë ligjore

Industria e sigurimeve luan një rol kyç në mbështetjen e investimeve, biznesit dhe forcimin e qëndrueshmërisë së tregut. Për këtë rol, CEO i SIGAL INSURANCE Group, Avni Ponari, na shpjegoi më shumë.

Avni Ponari: “Sigurimet janë, në fund të fundit, një kontratë midis atij që do të sigurohet dhe siguruesit. Siguruesit janë në të gjitha rastet të mbikëqyrur dhe të monitoruar nga autoriteti mbikëqyrës i sigurimeve; e njëjta gjë ndodh kudo në të gjithë botën dhe klientët natyrisht që janë ata që i drejtohen shoqërive të sigurimit dhe, kur ata kanë probleme, ankohen edhe tek ky autoritet mbikëqyrës, sepse ai është autoriteti që në fund të fundit garanton ekzistencën e industrisë”.

Investime në pasuri të mëdha dhe lënia pa mbrojtje e investimeve bujqësore dhe blegtorale, për z. Ponari, është një gabim i pafalshëm për secilin sipërmarrës shqiptar.

CEO i SIGAL theksoi se, përveç sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore, ekziston edhe tregu privat që u jep qytetarëve mundësi trajtimi në klinika dhe spitale evropiane përmes paketave të ndryshme. Këto variojnë nga mbulimi i plotë “GOLD” deri te paketat specifike anti-tumorale, me kosto rreth 250–300 euro në vit.

Avni Ponari: “Nëse futesh në këtë lloj mbulimesh, kompania e sigurimeve dhe SIGAL natyrisht do të shpërblejnë, sepse ne kemi dhënë prova dhe e kemi bërë këtë.”

Avni Ponari: “Kontrata është ligjore. Në fund është një kontratë e cila mund të përballet në dyert e gjykatës, por kurrë, nëse ke të drejtë, nuk do të humbasësh, sepse e tillë është industria e sigurimeve: industri besimi, industri mbrojtjeje, industri përkrahjeje dhe mbështetjeje në atë që ke krijuar.”

Z. Ponari apeloi drejtpërdrejt qytetarët që rreziqet e investimeve të tyre t’ia shesin industrisë siguruese:

Avni Ponari: “Sepse sigurimet janë ajo industri që të krijon pavarësinë. Është ajo industri që bën të mundur që ti të jesh një qytetar i denjë, një qytetar i qartë në rrugën që ke zgjedhur dhe i mbrojtur financiar nga çdo lloj rreziku. Rrezikun e di secili; shiteni atë te kompanitë e sigurimeve.”

Sipas raportit zyrtar të publikuar nga AMF, në 3 muajt e parë të vitit 2026, 27% e të gjitha dëmeve të siguruara, në segmentet jetë dhe jo jetë, paguhen nga SIGAL INSURANCE GROUP.