Alarm në tregun e pronave/ Andoni: Çmimet jashtë kontrollit, dyshime për blerje nga izraelitët në Shqipëri

I ftuar në studion e emisionit “Ora e Betit”, analisti Ben Andoni foli për zhvillimet në tregun imobiliar dhe debatet e fundit mbi interesin e të huajve për blerje pronash në Shqipëri.

Diskutimi u ndal edhe te një deklaratë e një ish-agjenti të CIA-s, Kirjakos, i cili ka ngritur dyshime për një prani në rritje të blerësve izraelitë në tregun shqiptar.

Sipas Andonit, mungesa e burimeve të hapura nuk do të thotë se pretendimi është i pavërtetë, pasi informacione të tilla shpesh mbeten jashtë aksesit publik.

“Ne nuk kemi qasje në shumë burime që trajtojnë këto çështje. Nuk besoj se janë thënie për efekt mediatik, por lidhen me zhvillime që shihen në kohë.”-u shpreh analisti.

Ai e lidhi këtë situatë me ndryshimet në marrëdhëniet e Shqipërisë me Izraelin dhe zhvillimet në rajon, duke sugjeruar se këto lëvizje mund të jenë pjesë e një konteksti më të gjerë.

Në vijim, analisti ngriti shqetësime për mënyrën si po zhvillohet tregu i banesave në vend, ku çmimet janë rritur dhe janë bërë të papërballueshme për qytetarët.

“Po bëhet gjithnjë e më e vështirë për njerëzit të blejnë një apartament. Rritja e çmimeve po ndikohet edhe nga hyrja e blerësve të huaj.”-shtoi Andoni.

Sipas tij, problemi nuk lidhet vetëm me tregun, por edhe me mungesën e drejtimit në nivel qendror dhe lokal.

Ai vuri në dukje se qytetet po humbasin identitetin dhe po zhvillohen pa një vizion të qartë, duke krijuar një situatë që, sipas tij, po kalon pa reagim nga shoqëria.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT" NË ORA NEWS: