Komisioni i Ligjeve miraton kuadrin ligjor për liberalizimin e tregut të shërbimeve ndërkufitare

Në drejtimin e kryetarit Ulsi Manja, Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike në dy mbledhjet të veçanta dhe në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, mori në shqyrtim tre projektligje.

Në mbledhjen e parë pas miratimit të procesverbalit të mbledhjes së datës 16 dhjetor 2025, Komisioni mori në shqyrtim projektligjin “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore”, i cili u prezantua nga Orjana Osmani, zëvendësministre e Arsimit dhe u relatua nga deputeti Ani Dyrmishi.

Në fjalën e saj Osmani u ndal tek risitë dhe nevoja për hartimin e projektligjit, duke nënvizuar se krijimi i agjencisë në fushën e shërbimeve arsimore përbën një hap të rëndësishëm në plotësimin e nevojave në fushën e arsimit. Osmani sqaroi se projektligji në thelb synon reformimin e Qendrës së Shërbimeve Arsimore dhe ka për qëllim ofrimin e shërbimeve dhe sigurimin e aksesit publik në fushën e arsimit të lartë dhe arsimit parauniversitar, si dhe çdo shërbim tjetër të caktuar sipas legjislacionit në fuqi, nëpërmjet përmirësimit të formës së saj të organizimit institucional.

Relatori Ani Dyrmishi vlerësoi rëndësinë e projektligjit për modernizimin e shërbimeve arsimore dhe duke u ndalur tek kushtetueshmëria dhe përputhshmëria me Rregulloren ftoi kolegët ta miratojnë. Pas pyetjeve dhe diskutimeve komisioni e miratoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Komisioni mori në shqyrtim edhe projektligjet “Për lirinë e vendosjes dhe ofrimit të shërbimeve në Republikën e Shqipërisë”, nismë e Këshillit të Ministrave dhe projektligjin “Për lirinë e vendosjes dhe ofrimit të shërbimeve në Republikën e Shqipërisë”, nismë e deputetes Anila Denaj. Të ftuar në mbledhjen e komisionit ishin Anila Denaj, Olta Manjani, zëvendësministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, si dhe stafi teknik i MEI.

Në nisje të diskutimeve, komisioni vendosi që të dy propozimet të shqyrtoheshin si një tekst integral i vetëm, për shkak të objektit dhe qëllimi final të tyre.

Gjatë prezantimit Denaj, në cilësinë e nismëtares, theksoi se projektligji përbën një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit europian, duke krijuar një kuadër ligjor të harmonizuar që garanton lirinë e vendosjes dhe ofrimit të shërbimeve ndërkufitare. Sipas saj, projektligji vendos një qasje të re ndaj liberalizimit të tregut, duke kufizuar ndërhyrjet administrative vetëm në rastet kur ato justifikohen nga interesa madhore publike.

Ndërsa Manjani nënvizoi se projektligji përafron direktivën 2006/123/KE për shërbimet në tregun e brendshëm, synon ndërtimin e një kuadri modern, transparent dhe konkurrues për sektorin, si dhe u jep zgjidhje disa problematikave të hasura në zbatimin e ligjit ekzistues,etj.

Relatorja Aulona Bylykbashi vlerësoi se projektligji synon harmonizimin e legjislacionin sectorial, nxitjen e zhvillimit të një tregu shërbimesh më konkurrues, transparent dhe të integruar me atë të BE, si dhe duke u ndalur tek kushtetueshmëria dhe përputhshmëria me Rregulloren e Kuvendit ftoi kolegët ta miratojnë. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni e miratoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.