2.5 miliardë euro në tregun e banesave/ Vokshi: Nuk dihet kush i blen dhe me çfarë parash

I ftuar në studion e emisionit “Ora e Betit”, analisti Indrit Vokshi foli për zhvillimet në tregun imobiliar dhe burimin e fondeve që po qarkullojnë në këtë sektor.

Sipas tij, në pesë vitet e fundit rreth 2.5 miliardë euro janë futur në tregun e banesave përmes kredive, por mungon një pasqyrë e qartë se nga vijnë këto para dhe kush janë realisht blerësit.

“Është një shumë e madhe, por nuk kemi asnjë tabelë të besueshme që të tregojë kush i blen këto pasuri dhe me çfarë parash.”-tha Vokshi.

Ai shpjegon se një pjesë e fondeve vijnë nga emigrantë dhe qytetarë brenda vendit, por një pjesë tjetër ngre dyshime për lidhje me aktivitete të paligjshme jashtë Shqipërisë. Sipas tij, problemi nuk është vetëm te origjina e parave, por edhe te fakti që mungon kontrolli dhe transparenca.

Vokshi ndalet edhe te roli i diasporës, duke thënë se kapitali i rregullt i shqiptarëve jashtë vendit nuk po tërhiqet për investime, ndërsa në treg duket se qarkullojnë më shumë para me burim të dyshimtë.

“Në vend që të vijnë investimet e pastra nga diaspora, po shohim një skenar ku hyjnë para nga aktivitete të errëta.”-shtoi analisti.

Ai shton se pa hetim të thelluar dhe pa një regjistër transparent të blerësve, është e pamundur të bëhet ndarja mes parave të ligjshme dhe atyre të paligjshme. Kjo situatë, sipas tij, krijon terren për deformim të tregut dhe rritje të pakontrolluar të çmimeve.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT" NË ORA NEWS: