Abuzim me çmimet dhe barna të skaduara, Toma zbulon prapaskenat: I njëjti ilaç shitet me çmime të ndryshme...
Qytetarët shqiptarë përballen çdo ditë me një fenomen shqetësues: i njëjti ilaç shitet me çmime të ndryshme në farmaci të ndryshme, madje edhe brenda të njëjtës farmaci.
Ndërsa dyshimi i parë bie mbi abuzimin e farmacistëve, një analizë e Diana Tomës, ish-presidente e Urdhrit të Farmacistëve në "Ora news" zbulon një problem shumë më të madh dhe sistemik, ku përgjegjësia duket se qëndron te vetë institucionet shtetërore.
Sipas saj, vlerësimi i sektorit duhet të bëhet përmes dy shtyllave kryesore: një kuadër ligjor i saktë që nxit zhvillimin dhe një shpërblim financiar i drejtë për shërbimin e ofruar, i bazuar në marzhin e tregtimit të barnave dhe jo thjesht në vlerësime simbolike.
Ky sektor, i cili siguron jetesën për një grup të gjerë profesionistësh, nuk mund të gjykohet me fraza klishe.
Pika më kritike e analizës është paradoksi i "çmimeve abuzive". Si është e mundur që një sektor, marzhet e tregtimit të të cilit tkurren vit pas viti, të akuzohet për abuzim me çmimet? Ajo thekson se kjo mbetet një shprehje e përdorur pa asnjë analizë të thelluar për të vërtetuar realitetin.
Në përpjekje për të adresuar këtë çështje, vite më parë i ishte propozuar Ministrisë së Shëndetësisë, në kohën kur zëvendësministre ishte znj. Ikonomi, ngritja e një grupi të përbashkët pune.
Ky grup do të përfshinte të gjithë aktorët institucionalë për të përcaktuar realisht marzhin e tregtimit dhe fitimin në këtë sektor. Objektivi ishte që të bëhej një analizë krahasuese jo vetëm me vendet e rajonit, por edhe më gjerë.
Megjithatë, paralajmërimi mbetet i qartë: krahasimi vetëm me rajonin e mban Shqipërinë "në të njëjtin batak". Për një zhvillim të vërtetë, sektori farmaceutik ka nevojë për një kuadër të fortë financiar dhe ligjor që i jep mundësi të rritet dhe të shërbejë në mënyrë eficente, larg akuzave të pabazuara.
Ndiqni intervistën e plotë:

