"Pacientët në mëshirë të fatit"/ Xhixho: 7 mijë raste kanceri në vit dhe 116 barna mungojnë, operacionet bllokohen
Erisa Xhixho, ka reaguar pas tryezës për shëndetësinë me fokus “Shëndeti nuk pret”, ku u diskutuan problemet që përballin pacientët dhe personeli mjekësor në vend.
Ajo jep një panoramë të vështirë të sistemit, duke përmendur rreth 7 mijë raste të reja me kancer çdo vit dhe mungesën e një pjese të madhe të barnave tumorale.
Sipas saj, 46% e këtyre barnave, konkretisht 116 të tilla, nuk janë importuar gjatë viteve 2021–2025. Në të njëjtën kohë, mungon edhe brakiterapia për kancerin gjinekologjik, një trajtim që do të ndihmonte qindra gra dhe vajza.
Xhixho sjell në vëmendje edhe situatën te Spitali i Traumës, i cili është jashtë funksionit për shkak të rikonstruksionit që pritet të zgjasë dy vite. Si pasojë, 10 salla operative janë të mbyllura dhe shumë pacientë presin për ndërhyrje, ndërsa përballen me përkeqësimin e gjendjes shëndetësore.
Në reagimin e saj, ajo krahason këtë realitet me premtimet për “shëndetësi falas”, duke vënë në dukje se qytetarët vazhdojnë të paguajnë rreth 60% të shpenzimeve nga xhepi.
Në këtë situatë, ajo ka kërkuar zhvillimin e dy interpelancave me ministren e Shëndetësisë, duke kërkuar përgjigje dhe masa konkrete për problemet e ngritura.

