SAMITI I KATËRT I DIASPORËS/ Rama: Diaspora nuk është më “largim”, por forcë që po ndryshon Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama, gjatë podcastit “Flasim”, foli për rolin e diasporës dhe ndryshimin e marrëdhënies së saj me Shqipërinë.

Ai u ndal te Samiti i katërt i Diasporës, duke thënë se sot lidhja mes shqiptarëve jashtë vendit dhe atyre brenda është më e fortë dhe më konkrete se më parë.

Sipas tij, kjo u pa edhe në zgjedhjet e fundit, ku diaspora mori pjesë për herë të parë dhe ndikimi i saj ishte i ndjeshëm.

Rama tha se diaspora nuk është më vetëm një histori emigrimi apo ndihme financiare për familjet, por po kthehet në një faktor zhvillimi për vendin.

Ai përmendi përfshirjen e shqiptarëve jashtë në fusha si biznesi, profesionet dhe shkëmbimi i dijes.

Sipas tij, hendeku që ekzistonte dikur mes diasporës dhe Shqipërisë po zvogëlohet dhe po zëvendësohet me bashkëpunim konkret në ekonomi dhe në fusha të tjera.

Ai foli edhe për ndryshimet ekonomike të viteve të fundit, duke përmendur rritjen e ekonomisë, të ardhurave për frymë, investimeve të huaja dhe turizmit.

Sipas tij, këto zhvillime kanë ndikuar që Shqipëria të shihet ndryshe, jo vetëm nga jashtë, por edhe nga vetë diaspora.

FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT:

Samiti i IV i Diasporës, i cili u zhvillua më 13 dhe 15 prill, konfirmoi një ndryshim të qartë në raportin e Shqipërisë me diasporën dhe vetë pozicionin e Shqipërisë në sytë e diasporës. Them konfirmoi sepse kjo ishte diçka që ne e pamë dhe e prekëm konkretisht edhe në zgjedhjet e shkuara, ku diaspora mori pjesë në një numër jo të vogël krahasimisht me pritshmëritë, sepse ishte hera e parë që merrte pjesë në zgjedhje dhe ku, sipas këndvështrimit tim, u konfirmua një mbështetje masive për shkak të ndryshimeve dhe transformimit të madh që Shqipëria ka pësuar në këto vitet e fundit. Por ajo që është më e rëndësishme është që sot diaspora shqiptare nuk është thjesht një histori largimi, por është një forcë e shtuar e zhvillimit të vendit, që shfaqet jo thjesht dhe vetëm përmes asaj që diaspora ka bërë gjithmonë, që ka qenë mbështetja monetare e familjeve këtu në Shqipëri, por edhe përmes elementësh realisht të admirueshëm të botës së saj të re, qoftë atyre që kanë spikatur në fushat profesionale, qoftë atyre që kanë spikatur në fushën e sipërmarrjes. Dhe çka ishte deri dje një hendek apo një distancë, sot është kthyer në një urë lidhjesh shumë konkrete në ekonomi, në dije dhe, përgjithësisht, në rritjen e ndikimit të Shqipërisë përmes shqiptarëve të saj kudo ku ata ndodhen. Është një realitet që lidhet drejtpërdrejt, siç thashë, me transformimin e vetë Shqipërisë nga një ekonomi me më pak se 10 miliardë euro prodhim të brendshëm, siç ishte ekonomia që ne morëm kur nisëm këtë rrugëtim qeverisës, në një ekonomi me rreth 27 miliardë euro Prodhim të Brendshëm, me objektivin për të arritur në 35 miliardë euro deri në fund të kësaj dekade. Nga një vend me më pak se 3000 euro të ardhura për frymë, në një vend me mbi 11000 euro të ardhura për frymë, me synimin për të kapërcyer 15000 euro në fund të kësaj dekade. Nga 2 milionë turistë dikur, ku për turistë numëroheshin edhe ata që shkonin jashtë dhe, kur ktheheshin, futeshin në listën e këtyre 2 milionë e disave, në një Shqipëri që pret 12 milionë vizitorë në vit, siç ndodhi jo më larg sesa disa muaj më parë, kur u mbyll viti 2025. Nga disa 300-400 milionë euro investime të huaja në vit, në mbi 1.6 miliardë euro në vit. Këto nuk janë thjesht shifra, por janë vetëm shumë pak tregues të një Shqipërie që është rritur, të një Shqipërie që është forcuar, të një Shqipërie që, mbi të gjitha, ka ndryshuar mënyrën si funksionon dhe, për këtë arsye, ka ndryshuar edhe mënyrën se si ajo perceptohet. Dhe mbi të gjitha, ky ndryshim reflektohet në raportin mes Shqipërisë dhe diasporës dhe të diasporës me Shqipërinë.