Berisha: Dënoj me forcë dhunën ndaj protestuesve dhe drejtuesve të PD-së
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas protestës së djeshme të opozitës, duke e cilësuar atë si një “protestë paqësore” dhe duke akuzuar forcat e rendit për përdorim të tepruar force ndaj pjesëmarrësve dhe drejtuesve të saj.
Gjatë një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha përshëndeti pjesëmarrjen e qytetarëve në tubim dhe vlerësoi qëndrimin e protestuesve të ndaluar në komisariate, të cilët i quajti “heronj”.
Ai pretendoi se ndaj tyre është ushtruar dhunë gjatë shoqërimit dhe mbajtjes në ambientet e policisë.
“Dënoj me forcën më të madhe dhunën ndaj protestuesve dhe dhunën e hapur dhe të programuar ndaj drejtuesve kryesorë të PD dhe deputetëve të kësaj partie, të cilët ishin absolutisht që të gjithë në protestën më paqësore dhe po jepnin kontributin më të madh për ruajtjen e karakterit paqësor të protestës, të cilën banditë me uniformë, narkokomisarë të tipit Skënder Balluku, Sokol Besëpreri, Enton Pallushi dhe Dashi i operacionales bënë gjithçka për ta shndërruar atë në një protestë të dhunshme”, tha Berisha.
Ai akuzoi gjithashtu policinë për përdorim të një lloji spraji me efekt të lartë irritues ndaj protestuesve dhe disa përfaqësuesve të opozitës, duke e cilësuar këtë veprim si të papranueshëm dhe të paprecedentë.
“Në mënyrë selektive janë goditur dhe shënjuar me spraj drejtuesit kryesorë të PD dhe deputetët e saj Flamur Noka, Luçiano Boçi, Klevis Balliu, Ivi Kaso, Blendi Himçi, Aulon Kalaja dhe shumë të tjerë. Me këtë rast dënoj me forcën më të madhe shtazërinë e treguar ndaj demonstruesve. Dënoj torturat e ushtruara ndaj tyre në komisariat. Edhe sot në komisariat ka demonstrues të torturuar me shenja të hapura tortura. Aulon Kalaja, pasi u verbua me spraj ariu, u godit në një hakmarrje të verbër me shkop prapa koke, duke e lënë pa ndjenja. Po kështu janë një seri demonstruesish paqësorë”, tha Berisha.
Kreu i PD-së pretendoi se disa deputetë dhe drejtues të Partisë Demokratike janë shënjestruar gjatë ndërhyrjes policore dhe ngriti shqetësime për trajtimin e të ndaluarve nga policia.
