Takime zyrtare me institucionet e drejtësisë në SHBA/ Kreu i ILD-së, në kërkim të modelit ideal për drejtësinë shqiptare

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka realizuar një sërë takimesh me institucione të drejtësisë dhe përfaqësues të botës akademike.

Një pjesë e rëndësishme e vizitës u zhvillua në Teksas, ku Metani u takua me zyrtarë lokalë dhe përfaqësues të sistemit të drejtësisë.

Vizita u shënua edhe me një ceremoni simbolike në Kapitoli i Teksasit në Austin, ku flamuri u ngrit për një ditë në nder të tij dhe më pas iu dorëzua si shenjë vlerësimi institucional.

Gjatë qëndrimit në Teksas, ai vizitoi edhe Texas A&M University, ku zhvilloi takime me drejtues të Bush School of Government and Public Service.

Në fokus ishin programet e trajnimit dhe mundësitë për bashkëpunim në rritjen e kapaciteteve profesionale të institucionit që ai drejton.

Në vijim, Metani zhvilloi një takim në Prokurorinë e Qarkut Montgomery me prokurorin Mike Holley, ku u diskutuan praktikat e punës dhe mënyrat për të forcuar integritetin dhe përgjegjshmërinë në sistemin e drejtësisë.

Ai u takua gjithashtu me gjyqtarin Jay Wright të Gjykatës së Apelit në Teksas, ku u shkëmbyen përvoja mbi funksionimin e gjykatave.

Vizita përfshiu edhe një ndalesë në Parkun Përkujtimor të Veteranëve në Montgomery, ku Metani u njoh me aktivitetin e kësaj qendre dhe mori një certifikatë mirënjohjeje.

Më pas, vizita vijoi në Florida, ku ai zhvilloi takime me gjyqtarë dhe përfaqësues të universiteteve. Në këto takime u diskutuan mënyrat e organizimit të sistemit të drejtësisë, etika në gjyqësor dhe standardet profesionale.

Gjatë qëndrimit në Florida, Metani u takua edhe me përfaqësues të University of South Florida, ku u fol për bashkëpunim në programe akademike dhe trajnime për stafin e institucionit.