Zjarri në kompleksin e Armando Lilos/ Banorët firmosin peticionin, ja 10 kërkesat urgjente...

Banorët e prekur nga zjarri në kompleksin “Arlis”, në zonën e Farmacisë nr. 10 në Tiranë, kanë firmosur sot një peticion me një sërë kërkesash drejtuar institucioneve dhe kompanisë ndërtuese.

Në dokumentin e përbashkët, ata kërkojnë që të sigurohet mbulimi i qirasë për familjet e dëmtuara, deri në rikthimin e apartamenteve në gjendjen e mëparshme, si dhe formalizimin e çdo hapi të procesit përmes kontratave të noterizuara.

Ndër kërkesat kryesore të banorëve është edhe realizimi i një ekspertize të pavarur teknike, për të vlerësuar sigurinë e materialeve termoizoluese të përdorura në fasadë, si dhe zëvendësimi i menjëhershëm i çdo materiali që mund të paraqesë rrezik me materiale të certifikuara dhe rezistente ndaj zjarrit, sipas standardeve europiane.

Banorët kërkojnë gjithashtu një audit të plotë të sistemit kundër zjarrit, duke përfshirë alarmet, pajisjet e fikjes së zjarrit dhe rrugët e evakuimit, pasi sipas tyre, disa nga këto sisteme nuk kanë qenë funksionale në momentin e incidentit.

Në peticion theksohet edhe nevoja për transparencë nga kompania ndërtuese lidhur me materialet e përdorura dhe kontrollet e cilësisë gjatë ndërtimit, si dhe mbajtjen e përgjegjësive ligjore në rast se provohen shkelje të standardeve të sigurisë.

Po ashtu, banorët kërkojnë dëmshpërblim për të gjitha familjet dhe bizneset e dëmtuara, rikthimin e apartamenteve sipas kontratave fillestare dhe pajisjen e kompleksit me hidrantë dhe pajisje funksionale kundër zjarrit.

Në fund, ata theksojnë rëndësinë e zbatimit të standardeve europiane të sigurisë, duke përfshirë certifikimin e instalimeve elektrike, kontrollin periodik të tyre dhe vendosjen e pajisjeve mbrojtëse si sistemet e tokëzimit dhe ndërprerësit e sigurisë, me qëllim parandalimin e incidenteve të ngjashme në të ardhmen.

PETICIONI I BANORËVE

Përshëndetje banorë të kompleksit Arli! Mendoj se kërkesat tona të përmbledhura, janë si më poshtë:

Ekspertizë e pavarur dhe e detajuar teknike për të vlerësuar sigurinë e materialeve termoizoluese të përdorura në fasadë.
Zëvendësimi i menjëhershëm i çdo materiali të rrezikshëm me materiale të certifikuara dhe rezistente ndaj zjarrit, sipas standardeve europiane.
Audit i plotë i sistemit të mbrojtjes kundër zjarrit, përfshirë: sistemet e alarmit, pajisjet e fikjes së zjarrit, rrugët e evakuimit.
Transparencë nga kompania ndërtuese, mbi materialet e përdorura dhe kontrollin e cilësisë gjatë ndërtimit.
Përgjegjësi ligjore dhe administrative, nëse konstatohet neglizhencë apo shkelje e standardeve të sigurisë, për mos certifikimin e impianteve elektrike, etj.
Zhdëmtimi i të gjithë banorëve dhe bizneseve të dëmtuara.
Kontratat e porosisë të formalizohen pranë noterit.
Apartamentet të rikthehen në gjendjen e mëparshme, sipas përmbajtjes së kontratës.
Të sigurohet strehimi dhe të mbulohen shpenzimet e qirasë për banorët, apartamentet e të cilëve janë dëmtuar/djegur.
Kompleksi të pajiset me hidrantë dhe fikse zjarri funksionale, pasi aktualisht kanë qenë jashtë funksionit…
Doja të shtoja që Normat e Sigurise Europiane EN, duhen përdorur tek ne si në çdo vënd Europian, psh:

Detytimi i Kontrollit të instalimeve, ujë, energji elektrike, gas, ashensor etj:

Për gjithë instalimet e kryera, duhet certifikata Sigurie dhe garancie sipas standardeve evropiane..
Duhet me vërtet një projektligj, që pas e shumta 20 vitesh të kryhet kontroll i detyrueshëm i gjendjes së gjithë instalimeve të kryera.
Salvavita e detyrueshme për gjithë Instalimet elektrike qendrore dhe në çdo banesë.
Matja e tokëzimit, i cili është pjesa me rëndësishme e të gjithë instalimeve elektrike.
Me respekt,

Banorët e pallatit “Arlis”

(Tiranë, zona “Farmacia 10”)