"Më kërkojnë të hesht"/ Spiropali 'shpërthen' ndaj PS-së: 'Drejtorokracia' e ka marrë peng. Nuk i përgjigjen ligjit, por urdhrit dhe klanit

Elisa Spiropali ka reaguar në rrjetet sociale, duke folur hapur për presionet brenda politikës.

Ajo tregon se është këshilluar të heshtë, por e refuzon këtë qasje, duke e cilësuar si pjesë të një mentaliteti që ka ndikuar në krijimin e situatës aktuale.

Sipas saj, problemi nuk lidhet me një rast apo individ të vetëm, por me një model funksionimi që, sipas saj, është ndërtuar gradualisht.

Ajo përshkruan një realitet ku institucionet nuk funksionojnë më si hapësira vendimmarrjeje, por si mjete presioni, ku vendimet merren në mënyrë të njëanshme dhe ligji zbatohet sipas interesave të momentit.

Spiropali thotë se ky transformim ka ardhur përmes tolerimeve të vogla dhe heshtjes, duke bërë që me kalimin e kohës disa institucione të mos reagojnë më ndaj ligjit, por ndaj urdhrave dhe ndikimeve të caktuara.

Ajo ngre shqetësimin se në këtë klimë, edhe bizneset, mediat apo individët mund të ndihen të pambrojtur përballë një sistemi që, sipas saj, mund të përdoret kundër tyre.

Në reagimin e saj, ajo kundërshton edhe atë që e quan “drejtorokraci”, duke thënë se një strukturë e tillë ka zëvendësuar politikën me administrim besnikërie dhe ka deformuar funksionimin e brendshëm të partisë.

Spiropali e konsideron këtë situatë si një problem që shkon përtej një përplasjeje personale, duke e lidhur me mënyrën si po funksionojnë institucionet dhe vetë politika.

Në fund, ajo shprehet se nuk ka frikë nga sulmet dhe se zgjedh të flasë, duke e parë këtë si një detyrim për të kërkuar ndryshim dhe përmirësim në funksion të vendit.