“Nga 140 mln në 95 mln lekë”/ Korreshi: Zhvlerësimi i euros po u merr qytetarëve dhjetëra milionë lekë

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, në një lidhje direkte për Ora News, foli për situatën politike dhe ndikimin e saj në ekonominë e qytetarëve.

Korreshi tha se aksioni i opozitës dhe denoncimet e bëra ndër vite kanë çuar në hetime dhe masa ndaj zyrtarëve të lartë dhe drejtorëve.

Sipas tij, kjo lidhet edhe me vëmendjen e shtuar nga ndërkombëtarët për lidhjet mes pushtetit, krimit dhe pastrimit të parave.

“Një pjesë e madhe e qeverisë sot është nën hetim ose ka zyrtarë të arrestuar. Kjo ka ardhur edhe nga denoncimet dhe presioni i vazhdueshëm.”-tha ai.

Ai u ndal edhe te gjendja ekonomike, duke thënë se shumë qytetarë janë të fokusuar vetëm te përballimi i jetesës së përditshme dhe nuk kanë mundësi të ndjekin zhvillimet politike.

Sipas tij, pastrimi i parave ka ndikuar drejtpërdrejt në rënien e euros në vend, duke prekur kursimet e qytetarëve.

“Njerëzit që kishin kursime në euro kanë humbur shumë para. Nga 140 milionë lekë, sot u kanë mbetur rreth 95 milionë. Është një goditje e fortë për çdo familje.”-shtoi Korreshi.

Korreshi u shpreh se zhvlerësimi i kursimeve dhe mungesa e interesave bankare po e bëjnë edhe më të vështirë situatën për qytetarët, të cilët përballen me pasiguri financiare në rritje.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: