Nis sot faza e parë e olimpiadës së gjuhës shqipe Shqipëri-Kosovë
Nxënësit e klasave të 9 në Shqipëri dhe Kosovë për të dytin vit radhazi do të konkurrojnë në olimpiadën e përbashkët të gjuhës shqipe.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro fton nxënësit e klasave të nënta të shkollave në Shqipëri dhe Kosovë, të marrin pjesë në këtë rrugëtim të veçantë për të testuar dhe vlerësuar njohuritë e tyre mbi gjuhën amtare.
Kumbaro tha se “faza e parë nis sot në mjediset e çdo shkolle, për të vijuar më pas me fazën e dytë në nivelin vendor të zyrave arsimore më 25 prill”.
Nxënësit që do të kualifikohen do të përfaqësojnë dijet e tyre në fazën e tretë në nivel kombëtar më datë 9 maj,
“Kulmi i këtij bashkimi do të arrijë në fazën e katërt ndërshtetërore, e cila do të mbahet në Prishtinë më 23 maj”, tha Kumbaro në një postim në rrjetet sociale.
Ministrja Kumbaro u shpreh se “gjuha jonë ndër shekuj ka shërbyer si urë e pathyeshme dhe si trashëgimi e vyer që na mban të lidhur pas rrënjëve tona”.
Organizimi i kësaj olimpiade për të dytin vit radhazi ka për qëllim intensifikimin e bashkëpunimit mes Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Kosovës ka si qëllim mbrojtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe traditave tona dhe forcimin e identitetit kombëtar.

