LIBRI “HERETIK”/ “Count Down”, numërimi mbrapsht i kohës së njeriut, vetasgjësimi, fatura me të cilin njerëzimi po paguan modernitetin
Ky libër nuk duhet lexuar. Nuk duhet të ishte shkruar, as të ishte botuar. Sepse, nëse e lexon, nuk mund të jetosh më si më parë.
Dhe megjithatë, ai është shkruar, është botuar dhe, tashmë, është vonë, shumë vonë. Jo vetëm për ta bojkotuar, por për ta ndalur rënien e njeriut drejt një vetasgjësimi që vjen si rezultat i zgjedhjeve të tij të pakuptimta dhe të pandërprera.
Count Down i Shanna H. Swan nuk është thjesht një libër shkencor. Ai është procesverbali i një krimi të heshtur, ku njeriu është viktimë, por edhe autor. Një aktakuzë e ngritur mbi baza empirike, mbi fakte të pakundërshtueshme dhe mbi një e vërtetë që përpiqemi ta harrojmë, por nuk na harron.
Duke ndjekur gjurmët e veprave monumentale si “Pranvera e Heshtur” e Rachel Carson apo “Zhdukja e Gjashtë”, ky libër vjen si një thirrje alarmi, por edhe si një lutje për shpëtim. Ai argumenton se rënia drastike e nivelit të spermës tek burrat, bashkë me efektet gjithnjë e më të thella në zhvillimin seksual të grave, nuk janë fenomene kalimtare, por shenjat e një epoke të re jopjellorie.
Përmes një analize të thellë shkencore dhe shoqërore, Swan na paraqet pasojat afatgjata të ekspozimit të përditshëm ndaj kimikateve që mjedisi modern i ka çliruar pa masë.
Ky libër pretendon të ngre një nga çështjet më kërcënuese dhe më të debatuara në lidhje me rrezikun që kanos njeriun modern ndotja. Dukshëm ai po kërkon të na bind se përmirësimi cilësor i jetës është fatura më e lartë që njerëzimi duhet ti paguaj modernitetit.
Shanna H. Swan, një autoritet i padiskutueshëm shkencor, fituese e disa çmimeve prestigjioze, një nga epidemiologet kryesore mjedisore dhe riprodhuese në botë, sjell mënyrat, me të cilat kimikatet në mjedisin modern, po ndryshojnë dhe rrezikojnë seriozisht seksualitetin dhe pjellorinë njerëzore.
Në vitin 2017, autorja Shanna Swan dhe ekipi i saj i studiuesve përfunduan një studim të madh. Ata zbuluan se gjatë katër dekadave të fundit, nivelet e spermës tek burrat, në vendet perëndimore, kanë pësuar një rënie më shumë se 50 përqind. Ata kanë arritur në këtë përfundim pasi shqyrtuan 185 studime që përfshinë afër 45,000 burra të shëndetshëm.
Rezultati i bërë prezent solli përfundime tronditëse, ai shpërndau valë goditëse rreth globit, por historia nuk mbaroi këtu. Rezulton se zhvillimi ynë seksual po ndryshon në mënyra më të gjera, për burrat dhe gratë dhe madje edhe për speciet e tjera, dhe se bota moderne po ecën me hapa të nxitimtë për t'u bërë gjithnjë e më shumë jopjellore.
Si dhe pse mund të ndodhë kjo?
A është vetë natyra ajo që po tenton të ruaj ekuilibrat e prishura tashmë? Cili vullnet i plotpushtetshëm po tregohet kaq i pamëshirshëm, apo është vetë njeriu që po projekton një vetasgjësim gradual dhe të pakthyeshëm të qenies?
Çfarë po e rrëmben pjellorinë dhe shëndetin tonë?
Count Down nuk është distopi. Është realitet. Dhe kjo e bën edhe më tronditëse. Sepse nuk kemi të bëjmë me një botë imagjinare si ajo e Orwellit apo e Huxleyt, por me botën tonë, me trupat tanë, me të ardhmen e specieve.
Në këtë rrëfim, lexuesi nuk është spektator. Ai është protagonist.
Çdo veprim i tij, çdo zgjedhje, çdo produkt i konsumuar, çdo vendim i heshtur që merret nga indiferenca, është pjesë e këtij procesi regresiv. Prandaj ky libër nuk është vetëm informues. Ai është nxitës, shkundës, ndriçues.
Swan nuk mjaftohet me diagnozën. Ajo ofron mjetet e shmangies, udhëzime praktike dhe konkrete. Ajo nuk na dorëzon te pashmangshmëria, por na jep mundësinë të ngrihemi. Sepse koha nuk është e pakthyeshme, por po të mos veprojmë tani, ajo do të jetë e pamëshirshme.
Po, njeriu ka ndërtuar qytetërimin mbi progresin. Ky progres, siç na tregon ky libër, ka ardhur me një kosto të padurueshme, humbjen e vetvetes. Në emër të rehatit, teknologjisë, konsumit të pakufishëm, kemi flijuar gjithçka që na bën njeri, riprodhimin, ndjeshmërinë, harmoninë me natyrën.
Count Down është rrëfimi i kohës që po mbaron. Një orë që nuk tingëllon, por që pulson në trupin e gjithçkaje që jemi dhe kemi qenë.
A jemi ende në kohë për ta ndalur këtë numërim mbrapsht?
Ndoshta.
Por kjo pyetje nuk ka më nevojë për një përgjigje. Ajo ka nevojë për veprim?!


