VIDEO/ Niveli i ulët i Shkumbinit lejon studimin e gjurmës së Urës së Haxhi Beqarit
Ulja e nivelit të lumit Shkumbin, iu dha mundësinë specialistëve të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, që për herë të parë të mund të dokumentonin plotësisht gjurmët e Urës së Haxhi Beqarit.
Ajo çfarë mbetet nga Ura e Haxhi Beqarit është monument Kulture, Kategoria I, e shpallur në vitin 1984. Dikur, ura kishte tre harqe të mëdhenj dhe ishte ndërtuar prej guri të përforcuar me elementë metalikë.
Prej saj, sot ruhen vetëm rrënojat, të dokumentuara edhe përmes fotografive të vjetra.
Specialistët e IKTK-së realizuan dokumentimin e saj pranë fshatit Polis, në lindje të Elbasanit, përgjatë aksit drejt Librazhdit dhe Ohrit. Studimet tregojnë se Ura e Haxhi Beqarit është ngritur mbi themele të një ure romake të shek. II–III, duke dëshmuar vazhdimësinë e këtij aksi ndër shekuj.
