AGJENCI KOMBËTARE PËR GJUHËN/ Kumbaro: Për ata që janë jashtë do formatohet në tre nivele mësimi

Qeveria propozon krijimin e një agjencie kombëtare për gjuhën që do të ketë synim mësimin tek brezat në familjet që janë jashtë vendit. Po ashtu do të nisë dhe formatimi me tre nivele për ata që duan ta mësojnë

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, propozon krijimin e një agjencie kombëtare për gjuhën shqipe. Emigracioni i lartë, përshtatja me vendet ku vendosen familjet bën që brezat të mos e mësojnë gjuhën amtare.

Si pasojë për ta ruajtur dhe për të mbajtur edhe më shumë lidhjet me kombin, propozohet një ndryshim i strategjisë.

“Brezi i parë e ruan gjuhën spontanisht; brezi i dytë ka nevojë për mbështetje; ndërsa brezi i tretë rrezikon ta humbasë atë nëse nuk ndërtojmë politika të qarta dhe të qëndrueshme. Kjo është arsyeja pse diaspora duhet të shihet jo thjesht si një realitet kulturor, por si një realitet arsimor që kërkon politika të posaçme, të menduara në mënyrë sistematike dhe afatgjatë. Prandaj kemi nevoje për një Agjenci Kombëtare për gjuhën shqipe. Kjo nuk është një çështje terminologjie, por një ndryshim thelbësor në qasje pedagogjike”.

Po ashtu rishikimi i korrikulës por dhe formatimi i mësimit të shqipes në shtete të tjera do të kërkojë një strategji të re

“Mësimi i gjuhës si gjuhë e prejardhjes nuk i përgjigjet plotësisht nevojave të nxënësve që e mësojnë shqipen me ekspozim të kufizuar, në kohë të reduktuar dhe jashtë një mjedisi natyror gjuhësor. Standardizimi në këtë fazë nënkupton ndërtimin paralel të dy shtyllave: ruajtjen dhe zhvillimin e kurrikulës së gjuhës shqipe si gjuhë e trashëgimisë, dhe njëkohësisht krijimin e një kurrikule të re për gjuhën shqipe si gjuhë e dytë apo e huaj, të përshtatur me realitetin e diasporës.

Kjo kërkon gjithashtu ndërtimin e një kornize kombëtare për gjuhën shqipe, e cila të përcaktojë nivelet e kompetencës gjuhësore dhe të harmonizohet me Kornizën e Përbashkët Evropiane të Referencës për Gjuhët (A1/2 B1/2 C1/2)”

Deklaratat kumbaro i bëri në ditën e tretë të samitit të diasporës ku u theksua bashkëpunimi në tekstet  dhe në arsim.