Konferencë ndërkombëtare në Elbasan për Prof. Dr. Marcel Courthiade, vlerësohet kontributi i tij në studimet rome

Në ditën e sotme u zhvillua në Elbasan një konferencë ndërkombëtare për nder të Prof. Dr. Marcel Courthiade (1953–2021), një prej figurave më të rëndësishme në fushën e studimeve rome dhe gjuhësisë evropiane.

Akademikë, studiues, përfaqësues institucionalë dhe të komunitetit rom u mblodhën për të reflektuar mbi jetën, veprën dhe trashëgiminë shkencore të tij, si dhe mbi ndikimin që ai ka lënë në studimin e gjuhës, identitetit dhe prodhimit të dijes.

Konferenca u organizua nga Departamenti i Gjuhësisë pranë Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, në bashkëpunim me IRCA (Instituti i Kulturës Rome në Shqipëri), Lëvizjen Rinore Egjiptiane dhe Rome dhe Roma Versitas Albania, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve. Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Bibliotekës së Universitetit të Elbasanit.

Në hapje të konferencës, përshëndetën përfaqësues të institucioneve dhe organizatave bashkëpunuese, mes tyre rektorja e universitetit prof. dr. Elvira Fetahu, zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ina Majko, drejtuesi ekzekutiv i IRCA-s dr. Bledar Taho, si dhe përfaqësues të Lëvizjes Rinore Egjiptiane dhe Rome në Elbasan. Fjalë përshëndetëse mbajti edhe drejtuesja e Departamentit të Gjuhësisë, dr. Aurela Basha, si dhe Jeta Duka, bashkëshorte e profesor Courthiade.

Gjatë prezantimeve shkencore, studiues të ndryshëm trajtuan kontributin e Marcel Courthiade në fushën e gjuhësisë rome, standardizimin e gjuhës, identitetin kulturor dhe zhvillimin e studimeve romologjike bashkëkohore.


Mes kumtesave u diskutuan tema mbi biografinë e tij shkencore, standardizimin e gjuhës rome, trashëgiminë gjuhësore, identitetin rom në Shqipëri, si dhe sfidat për krijimin e programeve universitare të studimeve rome.

Në konferencë mori pjesë edhe gazetari i njohur i komunitetit rom, Orhan Galjus, i cili paraqiti një kumtesë mbi kontributin e Courthiade në procesin e standardizimit të gjuhës rome dhe ndikimin e tij në zhvillimin e gazetarisë dhe kulturës rome. Po ashtu, të pranishëm ishin edhe drejtues të organizatave të komunitetit rom, si dhe pedagogë të Universitetit të Elbasanit, të cilët vlerësuan rëndësinë e këtij aktiviteti shkencor dhe nderimin e figurës së Courthiade.

Puna e Prof. Dr. Marcel Courthiade u vlerësua si një kontribut i jashtëzakonshëm në transformimin e qasjes akademike ndaj komuniteteve rome, duke i vendosur ato jo vetëm si objekt studimi, por si prodhues aktivë të dijes.

Përmes konceptit të standardizimit pluricentrik dhe trajtimit të gjuhës rome si kapital kulturor, ai kontribuoi në njohjen dhe institucionalizimin e gjuhëve të minoriteteve në Evropë.

Trashëgimia e tij mbetet thelbësore në studimet bashkëkohore rome, duke theksuar se gjuha është e lidhur ngushtë me pushtetin, përfaqësimin dhe drejtësinë epistemike.

Në përmbyllje, aktiviteti u cilësua si një homazh shkencor për një studiues, vepra e të cilit ka ndikuar thellësisht në studimet rome dhe në mënyrën moderne të kuptimit të përfshirjes në prodhimin e dijes akademike.