“Po humbasim gjithçka”/ Ballo: 50 fshatra arbëreshe po boshatisen, askush nuk po flet më gjuhën
Drejtuesja e platformës “Made in Arbëria”, Geri Ballo, ishte e ftuar në emisionin “Ora e Betit”, ku foli për gjendjen e komuniteteve arbëreshe në Itali dhe përpjekjet për t’i mbajtur ato gjallë.
Ajo rrëfeu se për vite me radhë ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me këto komunitete, duke parë nga afër lidhjen e fortë që ata ruajnë me origjinën, por edhe vështirësitë që po përballen sot.
“Kam parë që këto fshatra janë gjithmonë e më të braktisur, arbëreshët janë gjithmonë e më të pakët dhe gjuha po tkurret, rrezikon të humbasë tani që flasim.”- tha ajo.
Sipas saj, rënia e popullsisë është e ndjeshme. Në rreth 50 ngulime historike, numri i banorëve ka zbritur nga 93 mijë në rreth 76 mijë brenda 15 viteve. Një pjesë e vogël e tyre e përdor ende gjuhën në përditshmëri, ndërsa edhe më pak e trashëgojnë te brezat e rinj.
Përballë kësaj situate, ka lindur platforma “Made in Arbëria”, që synon të japë mbështetje konkrete për komunitetin dhe të krijojë mundësi zhvillimi përmes ekonomisë lokale.
“Përgjigja ka qenë shumë pozitive, sepse është një nevojë reale. Shumë arbëreshë duan të jenë pjesë e këtij projekti dhe të kontribuojnë.”-shtoi Ballo.
Ballo shpjegoi se potenciali i këtyre zonave mbetet i madh. Prodhimet tradicionale, si vera, vaji i ullirit, agrobiznesi dhe artizanati, janë ndër më cilësoret në jug të Italisë dhe përbëjnë burimin kryesor të jetesës për komunitetet.
Nisma synon t’i lidhë këto produkte me tregun më të gjerë, duke krijuar mundësi të reja ekonomike dhe duke ndihmuar në ruajtjen e identitetit arbëresh.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT" NË ORA NEWS:

