Mbrëmja e 10 prillit 1972, kur lotët e legjendës Charlie Chaplin u shndërruan në yjësi të rrugëtimit galaktik të Hollywood
Mbëmja e 10 prill 1972, ishte një mbrëmje që nuk i përkiste më vetëm ceremonisë së Academy Awards, ishte një kthim solemn i shpirtit në trupin e vet, një pajtim i vonuar mes artit dhe atij që e kishte shndërruar në një gjuhë universale.
Në Dorothy Chandler Pavilion, Los Angeles, koha nuk ecte më me ritmin e zakonshëm, ajo ndaloi, u përkul dhe priti.
Mbi atë skenë nuk ngjitej thjesht një njeri i moshuar, i lodhur nga malli dhe nga vitet; ngjitej një epokë. Një kujtesë kolektive. Një ndërgjegje artistike që kishte ditur të qeshte për të mos qarë dhe të qante për të mos u dorëzuar. Charlie Chaplin, i dëbuar dikur nga Amerika nën hijen e paranojës politike dhe klimës së McCarthyism, rikthehej jo si i falur, por si i domosdoshëm.
Ai nuk kishte nevojë për prezantim. Figura e tij, bastuni, kapelja, ecja e brishtë dhe kryeneçe e “Tramp”-it, ishte tashmë një alfabet i shpirtit njerëzor. Në filmat si City Lights, Modern Times apo The Great Dictator, ai kishte krijuar një univers ku komedia dhe tragjedia nuk ishin më kundërshti, por dy fytyra të së njëjtës plagë.
Dhe pastaj ndodhi ajo që historia do ta mbajë si një nga kulmet më të larta të emocioneve njerëzore në art: dymbëdhjetë minuta duartrokitje. Një përjetësi. Një oqean që nuk pushonte së valëzuari. Një gjest kolektiv që tejkaloi çdo protokoll, çdo rregull, çdo kohë të matur me orë.
Aty nuk kishte më role, nuk kishte më hierarki. Nuk kishte më yje dhe spektatorë. Ishte një bashkësi që përkulej përpara atij që i kishte dhënë asaj një shpirt. Ishte një akt i pastër mirënjohjeje, por edhe një rrëfim i heshtur faji. Një pranim se arti i madh shpesh vuan nga padrejtësitë e kohës së vet.
Dhe ai, mjeshtri i heshtjes, ai që kishte bërë botën të qeshte pa fjalë, u gjend i pambrojtur përballë fjalës më të thellë të njerëzimit: emocionit. Lotët i rrëshqitën pa turp, pa maskë, pa rol. Ishin lotë që nuk i përkisnin më vetëm një njeriu, por një epoke që kërkonte të falte veten.
Në atë çast, Charlie Chaplin nuk mbante në duar thjesht një çmim. Ai mbante peshën e një dashurie të vonuar, një drejtësi që kishte ardhur me vonesë, por me një intensitet që vetëm koha di ta pjekë.
Ishte një homazh që tejkalonte çdo statujë ari.
Ishte një pendesë e përulur e Hollywood për një nga bijtë e vet më të mëdhenj.
Ishte një lutje pa fjalë, drejtuar atij që i dha kinemasë një zemër që rreh ende.
Dhe kështu, ajo natë mbeti jo thjesht një moment në histori, por një testament, se arti i vërtetë nuk harrohet, se padrejtësia mund të zgjasë, por nuk është e përjetshme, dhe se ndonjëherë, një duartrokitje mund të jetë më shumë se një nderim, mund të jetë një kthim në shtëpi.
Përgatiti: Albert Vataj

