Deri në fund me penel në dorë! Përcillet për në banesën e fundit Skënder Kamberi! E bija: Pikturoi skicën e një fëmije pak para vdekjes
Të afërm, kolegë dhe dashamirës përcollën për në banesën e fundit piktorin Skënder Kamberi. Në homazhet e mbajtura në Universitetin e Arteve e bija bëri me dije se ai nuk e uli penelin deri në fund të jetës, ku pak para vdekjes pikturoi skicën e një fëmije.
Deri në fund të jetës me penel në dorë. Piktori Skënder Kamberi kurrë nuk ndali së pikturuari deri në fund të jetës së tij.
E bija e tij Donika Kamberi, zbuloi se vepra e fundit e babait të saj ishte skica e një fëmije që u realizua pak para se të ndërronte jetë.
Familjarë, ish-studentë, kolegë dhe artdashës ishin të pranishëm në Universitetit të Arteve për t’i dhënë lamtumirën e fundit Artistit të Merituar.
Ata shprehën hidhërimin e tyre për ndarjen nga jeta e piktorit.
Mjeshtri i madh në muzikë, Naxhi Kasoruho ndau emocionet rreth trashëgimisë së tij tek brezat e rinj, tek theksoi mungesën e pranisë së figurave të larta të shtetit në ceremoni.
Skënder Kamberi, i lindur në Vlorë, ia dedikoi të gjithë jetën e tij artit si piktor dhe si pedagog, duke kontribuar në kulturën shqiptare më shumë piktura të vlerësuar.
Ai përfaqësoi shkollën e realizmit socialist, kompozimet figurative, portretet e fuqishme por njëkohësisht guxoi të pikturonte edhe elementë nga kubizmi apo ekspresionizmi, të cilat ishin të ndaluara për kohën.
Skënder Kamberi la pas një pasuri të paçmueshme artistike, me disa nga veprat e tij më të bukurat ndodhen të ekspozuara në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

