E nxorën pa ndjenja dhe e braktisën në rrugë/ Tre autorët para drejtësisë, babai i 19-vjeçares shqiptare: Sot kam dasmë dhe funeral për vajzën

Zhvillime të reja janë shënuar në lidhje me vdekjen e 19-vjeçares shqiptare Myrto në ishullin grek të Kefalonisë.

Një nga të arrestuarit, një 26-vjeçar, ish-peshëngritës, është paraqitur në gjykatë duke kërkuar falje. Ai ka pretenduar se ishte personi që e nxori vajzën pa ndjenja nga apartamenti dhe se bashkë me një 23-vjeçar kanë njoftuar urgjencën. Megjithatë, hetimet e policisë greke japin një tjetër tablo të ngjarjes.

Fillimisht, tre të rinjtë u akuzuan për shkelje që lidhen me drogën dhe ekspozimin, por më pas akuza është rënduar në “vrasje me dashje përmes mosveprimit”, çka e bën çështjen shumë më serioze nga ana ligjore.

Ngjarja ka ndodhur në Argostoli, ku 19-vjeçarja u gjet pa ndjenja në një shesh në orët e para të mëngjesit. Ajo u dërgua në spital, por nuk arriti të mbijetojë.

Sipas hetimeve, tre të rinjtë, të moshave 26, 23 dhe 22 vjeç, dyshohet se ndodheshin me vajzën në një dhomë hoteli dhe nuk i kanë dhënë ndihmë në momentin kur ajo humbi ndjenjat. Më pas, dyshohet se e kanë nxjerrë jashtë dhe e kanë lënë në vendin ku u gjet.

Pamjet e kamerave të sigurisë janë pjesë e rëndësishme e hetimit. Në to shihet 26-vjeçari duke e nxjerrë vajzën pa ndjenja nga hoteli dhe duke e lënë jashtë.

Ka edhe dyshime se janë bërë përpjekje për të fshehur prova, përfshirë pastrimin e dhomës dhe zhdukjen e telefonit të viktimës, i cili më vonë është gjetur i braktisur.

Nga të dhënat e para mjeko-ligjore, vdekja lidhet me arrest kardiak pas edemës pulmonare. Priten rezultatet toksikologjike për të sqaruar më tej rrethanat.

Ndërkohë, familjarët i kanë dhënë lamtumirën e fundit 19-vjeçares mes dhimbjes së madhe. Babai i saj ka ngritur dyshime për përfshirje të mundshme të një grupi të organizuar dhe kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Hetimet vijojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat dhe përgjegjësitë në këtë rast të rëndë.