"Kosova në ‘dorën’ e Kurtit"/ Shala: Nëse do të kemi president apo zgjedhje, kjo nuk varet nga opozita

Opinionisti politik Azdren Shala ishte i ftuar në një lidhje direkte në Ora News, në hapësirën “Për shqiptarët”, ku foli për situatën politike në Kosovë dhe ngërçin për zgjedhjen e presidentit.

Ai përshkroi një klimë të tensionuar, me përpjekje të vazhdueshme për të gjetur një zgjidhje, por pa rezultat konkret.

Sipas tij, afati 11-ditor i vendosur për zgjedhjen e presidentit po afrohet, ndërsa paqartësia mbetet e madhe.

“Për fat të keq, nëse do të kemi president apo zgjedhje, kjo nuk varet nga opozita. Varet vetëm nga dëshira e Kurtit.”-tha ai.

Shala u ndal edhe te roli i opozitës, duke e cilësuar të paqartë dhe jo vendimtare në këtë proces. Ai tha se vendimmarrja politike në vend prej kohësh nuk po bazohet në një balancë mes palëve, por në vullnetin e një figure të vetme.

“Ka vite që në Kosovë vendoset politikisht vetëm sipas asaj që dëshiron Kurti, jo mbi atë që kërkon opozita.”-shtoi Shala.

Sipas tij, edhe pse zgjedhjet mund të jenë një rrugëdalje nga kriza, mungon vullneti për të shkuar drejt tyre.

Kjo situatë, shton ai, po e mban vendin në një cikël paqartësie, ku zgjidhja nuk duket në horizont.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: