E dr*guan në hotel dhe e lanë pa ndjenja në rrugë, 19-vjeçarja shqiptare humb jetën në Greqi
Një 19-vjeçare me origjinë shqiptare ka humbur jetën në rrethana të rënda në ishullin Kefaloni të Greqisë.
E reja, e identifikuar nga mediat greke si Myrto, u gjet pa ndjenja në një shesh në qytetin Argostoli, në orët e para të mëngjesit.
Ajo u dërgua me urgjencë në spital, por nuk arriti të mbijetojë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.
Nga hetimet rezulton se gjithçka kishte nisur në një dhomë hoteli, ku 19-vjeçarja kishte shkuar rreth mesnatës me një 23-vjeçar.
Më pas, në dhomë janë bashkuar edhe dy persona të tjerë, një 26-vjeçar dhe një 22-vjeçar shqiptar. Dyshohet se gjatë natës kanë konsumuar lëndë narkotike.
Në një moment, vajza ka humbur ndjenjat. Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, tre të rinjtë e kanë nxjerrë jashtë dhe e kanë transportuar drejt qendrës së qytetit. Njëri prej tyre shihet duke e mbajtur në krahë, ndërsa dy të tjerët e shoqërojnë. Ata e kanë lënë në gjendje të rëndë pranë një sheshi dhe janë larguar.
19-vjeçarja ka qëndruar për një kohë në rrugë pa ndihmë. Ambulanca është njoftuar më vonë dhe e ka transportuar në spital, ku ndërroi jetë.
Sipas të dhënave paraprake, shkaku i vdekjes dyshohet të jetë arrest kardiak, ndërsa priten analizat toksikologjike për të sqaruar nëse ka pasur përdorim të lëndëve narkotike.
Pas ngjarjes, tre të rinjtë janë kthyer në hotel dhe kanë pastruar dhomën, ndërsa dyshohet se kanë marrë edhe telefonin e vajzës. Ata janë identifikuar nga policia përmes kamerave të sigurisë dhe akuzohen për vrasje nga pakujdesia. Pritet që të dalin para gjykatës në ditët në vijim.
Familja e 19-vjeçares kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dyshon se vajza mund të jetë ndikuar nga personat që ishin me të.

