Europol: Shkatërruam një kartel ballkanik të dr*gës, rrjeti kontrabandonte edhe përmes Shqipërisë
Më 15 prill 2026, Europol mbështeti autoritetet ligjzbatuese në Mali i Zi dhe Gjermani në një operacion të gjerë kundër një qelize të rëndësishme të të ashtuquajturit “Karteli Ballkanik”. Aksioni çoi në arrestimin e 12 personave të dyshuar, katër prej tyre në Gjermani, përfshirë edhe një person të rrezikshëm të konsideruar si anëtari kryesor i rrjetit, u kap në Mal të Zi.
Hetimi ndërkombëtar, i mbështetur gjithashtu nga autoritetet në Austri dhe Spanjë, u përqendrua në një rrjet kriminal të përfshirë në trafikimin në shkallë të gjerë të kokainës dhe kanabisit. Të dyshuarit, me banim në Mal të Zi dhe Gjermani, dyshohet se kishin role të ndryshme brenda organizatës, duke përfshirë financues, koordinatorë dhe logjistikë.
Sipas autoriteteve, rrjeti është përgjegjës për trafikimin e rreth 2.7 ton kokainë dhe 1.5 ton kanabis gjatë periudhës tetor 2024 – prill 2026. Këto sasi janë sekuestruar në 12 operacione të mëparshme në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe në Amerikën e Jugut. Trafikimi kryhej përmes rrugëve detare dhe ajrore, duke përdorur kontejnerë transporti dhe metoda të sofistikuara të fshehjes.
Gjithashtu, rrjeti dyshohet se ka kontrabanduar kanabis drejt BE-së përmes vendeve si Shqipëri, Tajlanda dhe Shtetet e Bashkuara.
Rreth 100 oficerë policie u angazhuan në operacion, duke kryer arrestime dhe kontrolle në të dy vendet. Europol luajti një rol kyç në koordinimin ndërkombëtar, shkëmbimin e informacionit dhe ofroi mbështetje analitike dhe financiare gjatë gjithë hetimit.
Në operacion morën pjesë edhe agjenci të rëndësishme ligjzbatuese, përfshirë Zyrën Federale të Policisë Kriminale në Gjermani, Shërbimin Federal të Inteligjencës Kriminale në Austri dhe Guardia Civil në Spanjë./ CNA

