Sot, 27 vite nga eksodi i shqiptarëve të Kosovës drejt Kukësit
Më 16 prill të vitit 1999 nisi eksodi i shqiptarëve të Kosovës, drejt Shqipërisë.
Ishte qyteti i Kukësit, ai që hapi dyert e mikpritjes për qindra mijëra shqiptarë të cilët u detyruan të braktisnin vatrat prej terrorit serb. 16 prilli kujtohet sot pas 27 vjetësh si një nga ngjarjet më të dhimbshme të historisë së re të shqiptarëve.
Banorët e Kukësit treguan një solidaritet dhe humanizëm të jashtëzakonshëm, duke pritur në shtëpitë e tyre vëllezërit nga Kosova dhe duke ndarë me ta, atë çka gjendej në sofër. Mikpritja kuksiane mbetet një shembull i rrallë i vlerave njerëzore dhe kombëtare në kohë krize.
Eksodi ishte rrjedhojë e zbatimit të projektit shovinist serb me emërtimin “Patkoi”. Me këtë projekt, shteti serb synonte të kryente “pastrimin etnik” të popullsisë etnike shqiptare të Kosovës.
Në periudhën mars-qershor 1999, numri i përgjithshëm i shqiptarëve të shpërngulur me dhunë arriti në afro 1 milion vetë. Pjesa më e madhe e shqiptarëve kaluan në Qafën e Morinit dhe në Qafën e Prushit.
Dëbimi i shqiptarëve të Kosovës i vitit 1999, përbën një nga eksodet më të rënda në historinë e Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore.

