Mësuesja e Shqipes në Slloveni zbulon sfidën e madhe, Haliti: Rezultati është i jashtëzakonshëm
Në një kohë kur Samiti i Diasporës mblodhi shqiptarë nga e gjithë bota, disa zëra ndjehen se nuk u përfaqësuan sa duhet.
Një prej tyre është ai i një mësueseje nga komuniteti shqiptar në Slloveni, si Vera Haliti e cila tha në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News” se nëse do t'i jepej fjala në atë samit, do të kishte ngritur një çështje jetike: sfidën dhe sakrificat për mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe larg atdheut.
Duke përfaqësuar shtetin slloven në samit, ajo shprehet se shqetësimi kryesor është problematika e mësimit të gjuhës shqipe në Slloveni. Sipas saj, ruajtja e gjuhës amtare është një proces që kërkon sakrifica të mëdha nga komuniteti.
Rrugëtimi i saj personal me këtë mision ka nisur që në vitin 2007, ku nëpërmjet mësimit të gjuhës sllovene ka gjetur mënyra për të integruar dhe shpjeguar edhe gjuhën shqipe.
Shpeshherë vihet në dyshim interesi i brezit të ri për të mësuar gjuhën e prindërve. Por, përvoja e kësaj mësueseje tregon një realitet tjetër. Komuniteti shqiptar në Slloveni përbëhet kryesisht nga shqiptarë me origjinë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Sipas saj, interesi i prindërve dhe fëmijëve për shkollën shqipe nuk varet vetëm nga dëshira, por edhe nga qasja e mësuesit dhe mënyra se si promovohet gjuha.
Rezultatet flasin vetë. Ajo drejton një klasë me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme prej 18 nxënësish, të moshave nga 7 deri në 13 vjeç. Prej dy vitesh, mësimi zhvillohet rregullisht sipas kurrikulës së përbashkët të diasporës.
Edhe pse kursi mbahet ditën e diel, prindërit i sjellin fëmijët me shumë dëshirë, ndërsa këta të fundit mezi presin të vijnë në shkollë. Ky entuziazëm dëshmon se me përkushtimin e duhur, gjuha dhe identiteti shqiptar mund të lulëzojnë edhe mijëra kilometra larg.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË

