VIDEO/ Muse-X, festivali më i madh i industrisë kreative në rajon
Nga 17 prilli në Tiranë rikthehet Muse-X. Edicioni i këtij viti zhvillohet në datat 17, 18 dhe 19 prill, për tri ditë e net rresht, si një nga ngjarjet më të mëdha të industrive kreative në rajon.
Muse-X është një platformë e integruar që bashkon ekspozimin profesional, konferencën ndërkombëtare dhe festivalin artistik në një eksperiencë të vetme, gjithëpërfshirëse dhe elektrizuese.
Në këtë platformë të madhe të industrisë kreative, marrin pjesë 22 shtete të cilët do të ofrojnë çdo ditë 15 orë aktivitet, në 120 stenda, të më shumë se 80 kompanive të ndryshme.
Nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, në Evropë e deri në Japoni, Tirana kthehet në një qendër globale të kulturës, muzikës dhe filmit, me dhjetëra profesionistë nga industria e muzikës dhe kinematografia, të angazhuar në panele e workshop-e.
Ceremonia e inaugurimit, paraditen e datës 17, do të jetë si një spektakël më vete, me DJ në majën e Piramidës.
Nga legjenda fituese Grammy si David Morales, te emra ndërkombëtarë nga Sony Music dhe media ikonike si Mixmag, Muse-X do të sjellë në Tiranë elitën e industrive kreative globale.
Ky edicion mbështetet nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, si një dëshmi e qartë e investimit në industrinë kreative dhe në pozicionimin e Shqipërisë si një destinacion i rëndësishëm kulturor në hartën ndërkombëtare.
Muse-X pritet të mbledhë më shumë se 20,000 pjesëmarrës.

