Mëngjesi i Vëllazërimit bashkon komunitetet fetare në lutje për Shqipërinë dhe shqiptarët

Në kuadër të Samitit IV të Diasporës Shqiptare, në ambientet e Pallatit të Kongreseve u zhvillua këtë të mërkurë aktiviteti “Mëngjesi i Vëllazërimit”, një moment simbolik që bëri bashkë përfaqësues të komuniteteve fetare shqiptare nga vendi dhe diaspora.

Aktiviteti, i moderuar nga gazetarja Monika Stafa, nisi me këngën “Fjalët e Qiririt” nga Ilir Shaqiri dhe vijoi me një program të përbashkët lutjesh dhe bekimesh për paqe, mirëkuptim dhe prosperitet për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që ndodhen.

Në këtë moment të veçantë reflektimi dhe bashkimi shpirtëror ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.

Në kuadër të programit, u mbajtën lutje dhe bekime nga përfaqësues të besimeve të ndryshme, duke reflektuar bashkëjetesën fetare në Shqipëri.

Mes tyre ishin Rifat Halili, imam dhe drejtues i Qendrës Islame Shqiptare në Neë York dhe Neë Jersey, Edmond Brahimaj, Kryegjyshi Botëror Bektashian; Nikodhim Preston, peshkop i Kryedioqezës së Shqipërisë në Boston; Kastriot Idrizi, përfaqësues i Bashkësisë Katolike në Bruksel; si dhe Erjon Sylari, nga Vëllazëria Ungjillore.

Folësi kryesor i këtij takimi ishte Rifat Halili, imam dhe drejtues i Qendrës Islame Shqiptare në New York dhe New Jersey, i cili në fjalën e tij vuri në dukje rëndësinë e ruajtjes dhe forcimit të harmonisë ndërfetare si një vlerë identitare e shqiptarëve, veçanërisht në kontekstin e diasporës.

Në një atmosferë të qetë dhe përfshirëse, përfaqësues të besimeve të ndryshme përcollën mesazhe paqeje, harmonie dhe shprese, duke bërë lutje për vendin dhe kombin, si dhe duke dhënë një bekim simbolik për flamurin kombëtar. Ky aktivitet vuri në pah edhe një herë traditën e vyer shqiptare të bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare.

“Mëngjesi i Vëllazërimit” u zhvillua në kuadër të sesionit me temë “Trashëgimia e së Shenjtës”, i cili në kontekstin shqiptar i referohet pasurisë së jashtëzakonshme shpirtërore dhe materiale të lidhur me besimin, martirizimin dhe objektet e kultit që kanë formësuar identitetin tonë kombëtar.

Ky aktivitet i veçantë, së bashku me tryezën që e pason, përfaqëson një moment të rëndësishëm dialogu ndërfetar dhe respekti të ndërsjellë, duke theksuar rëndësinë e trashëgimisë shpirtërore si një themel i fortë për të ardhmen e vendit. Përmes këtij takimi, u synua forcimi i unitetit dhe frymëzimi i një angazhimi në shërbim të së mirës së përbashkët.

Samiti i Diasporës Shqiptare vijon punimet nën moton “Përmes rrënjëve lartësohemi”, duke sjellë në vëmendje rëndësinë e lidhjes me identitetin dhe trashëgiminë kombëtare.

Ky aktivitet shënoi hapjen e agjendës së ditës së tretë të samitit, i cili ka mbledhur në Tiranë përfaqësues të diasporës shqiptare nga e gjithë bota dhe pritet të vijojë me sesione të tjera të rëndësishme.